Policia e Tiranës ka shpallur në kërkim tre persona në lidhje me plagosjen e shtetasit Juxhin Hamajezi 34 vjeç, dy ditë më parë.
Ngjarja ndodhi në rrugën “Aleksandër Moisiu”, ndërsa Hamajezi mori një plumb në këmbë.
Pas hetimeve, policia identifikoi autorin e dyshuar të plagosjes, shtetasin Klodian Kallo, 31 vjeç.
Gjithashtu në kërkim u shpallën dy bashkëpunëtorët e tij, shtetasit Gjergji Lleshi, 36 vjeç dhe Lulzim Mejdani, 45 vjeç. Punohet intensivisht për kapjen e tyre, si dhe për dokumentimin e përgjegjësisë penale të secilit.
Ndërkohë Juxhin Hamajezi është në kujdesin e mjekëve dhe jashtë rrezikut për jetën.
Plagosja
Sherri mes të plagosurit dhe autorit të dyshuar ishte i hershëm pasi Hamajezi i kishte marrë një automjet Kallos me vlerë rreth 30 mijë euro dhe paratë nuk ia kishte dhënë.
Policia dyshon se Kallo kishte shkuar tek lokali i 34- vjeçarit Hamajezi për t’i kërkuar lekët ose në të kundërt do e vriste.
Fillimisht mes tyre ka pasur një debat e më pas Kallo ka nxjerë armën dhe ka qëlluar dy herë në drejtim të 34-vjeçarit, i cili ka marë vetëm një plumb në këmbë.
I plagosuri është me precedent penal, i arrestuar për trafik klandestinësh, ndërsa në 2018 i shpëtoi një atentati teksa u qëllua me armë nga Santiago Malko.
Gjatë marjes në pyetje 34- vjeçari Hamajezi nuk ka pranuar të japë deklarime para grupit hetimor.





