Prokurorët e Parisit kanë hapur një hetim për të verifikuar nëse një kompani izraelite ndërhyri në zgjedhjet lokale franceze, pasi disa kandidatë të së majtës ekstreme akuzuan se ishin shënjestër e fushatave dezinformuese.
Hetimi do të shqyrtojë pretendimet e tre anëtarëve të së majtës ekstreme La France Insoumise (Franca e Papërkulur) se janë përballur me fushata shpifjesh me akuza të rreme, manipulim të mediave sociale dhe pamje të rreme të fushatës.
Ata përfshijnë Sebastien Delogu nga Marseja në jug dhe Francois Piquemal në Tuluzë në jugperëndim, të cilët humbën garën zgjedhore, dhe David Guiraud në Roubaix në veri, i cili fitoi votën për t’u bërë kryetar bashkie.
Të tre kandidatët pretendojnë se ishin shënjestër për shkak të mbështetjes së tyre për kauzën palestineze.
Çështja u hap pasi Viginum, organi qeveritar francez përgjegjës për luftimin e dezinformimit në internet, tha se kishte vënë re një “sistem shpërndarjeje artificiale ose të automatizuar për të përhapur përmbajtje qartësisht të pasaktë ose mashtruese”.
“Kjo fushatë keqdashëse, që përfshin një aktor të vendosur jashtë vendit, ka të ngjarë të dëmtojë interesat themelore të kombit, për aq sa synon qëllimisht të shtrembërojë aksesin e qytetarëve në informacion”, tha agjencia.
Një burim i lidhur me rastin i tha AFP-së se fushatat duket se janë zhvilluar nga Izraeli, me dy të përditshme të majta, Liberation e Francës dhe Haaretz e Izraelit, që përmendën kompanitë që dyshohet se ishin përgjegjëse.
Prokurorët thanë se deri më tani, ata nuk kanë parë indikacione se qeveria izraelite ishte e përfshirë.
“Nocioni i ndërhyrjes nuk ka të bëjë me interesat e një individi ose kompanie të huaj, por të një shteti të huaj, dhe nuk është raportuar asnjë dyshim për një ndërhyrje të tillë….”





