Për herë të parë, Orkestra e Filarmonisë së Kosovës u ngjit në skenën e Teatrit “Andon Zako Çajupi” në Korçë, duke sjellë një koncert të veçantë për artdashësit korçarë me tingujt e muzikës klasike shqiptare e botërore në qytetin e serenatave.
Nën drejtimin e dirigjentit të njohur Baki Jashari, orkestra interpretoi një repertor të pasur artistik me vepra të kompozitorëve shqiptarë dhe të huaj, të cilat u pritën me duartrokitje dhe emocione nga publiku në sallë.
Një nga momentet më të veçanta të mbrëmjes ishte interpretimi i një serenate të njohur korçare, një surprizë artistike që krijoi atmosferë të ngrohtë dhe emocionuese në teatër. Dirigjenti Baki Jashari e cilësoi këtë interpretim si një dhuratë simbolike për qytetin e Korçës dhe publikun e tij artdashës.
Emocionet për koncertin në Korçë i ndau edhe violinistja dhe solistja e njohur Sihana Badivuku, e cila vlerësoi publikun korçar si një nder më të kulturuarit për muzikën klasike.
Orkestra e Filarmonisë së Kosovës është kthyer në një nga institucionet më të rëndësishme të muzikës klasike shqiptare në rajon.
Përgjatë viteve, ajo ka përfaqësuar kulturën shqiptare në skena prestigjioze europiane si në Vatikan, Paris, Romë dhe Bernë, duke bashkëpunuar me artistë dhe dirigjentë të njohur ndërkombëtarë.Koncerti në Korçë u mirëprit nga artdashësit dhe u konsiderua si një urë kulturore mes Shqipërisë dhe Kosovës, përmes gjuhës universale të muzikës.





