Kryeministri i Izraelit Benjamin Netanyahu deklaroi se synon që brenda dekadës së ardhshme vendi i tij të shkëputet gradualisht nga ndihma ushtarake amerikane. Në një intervistë për CBS News, ai tha se dëshiron që mbështetja financiare ushtarake nga SHBA të reduktohet “në zero”.
“Dua ta çoj në zero mbështetjen ekonomike amerikane, pjesën financiare të bashkëpunimit tonë ushtarak”, u shpreh Netanyahu, duke shtuar se ka ardhur koha për një marrëdhënie të re ekonomike mes dy vendeve.
Aktualisht, Izraeli përfiton rreth 3.8 miliardë dollarë ndihmë ushtarake çdo vit nga SHBA, ndërsa marrëveshja ekzistuese parashikon një paketë totale prej 38 miliardë dollarësh për periudhën 2018-2028.
Israeli Prime Minister Benjamin Netanyahu told 60 Minutes that Israel hopes to eventually end its dependence on U.S. military aid, saying, “It’s time we weaned ourselves from the remaining military support.” pic.twitter.com/194NnKiZos
— Breaking911 (@Breaking911) May 10, 2026
Deklaratat e Netanyahut vijnë në një moment kur mbështetja amerikane ndaj Izraelit ka nisur të zbehet pas luftës në Gaza. Sipas një sondazhi të Pew Research Center, 60% e amerikanëve kanë tashmë një opinion negativ për Izraelin, ndërsa 59% thonë se kanë pak ose aspak besim te Netanyahu për çështjet ndërkombëtare.
Kryeministri izraelit fajësoi rrjetet sociale për rënien e imazhit të Izraelit në SHBA, duke pretenduar se disa shtete kanë manipuluar platformat sociale kundër Izraelit.
Paralajmërim për Iranin
Netanyahu foli edhe për Iranin, duke deklaruar se dobësimi ose rrëzimi i regjimit iranian do të sillte “fundin e Hezbollah, Hamas dhe ndoshta edhe të Houthi-ve”.
I pyetur nëse rrëzimi i regjimit iranian është realist, ai u përgjigj: “Është i mundur, por jo i garantuar”.
Ai komentoi gjithashtu liderin e ri suprem iranian Mojtaba Khamenei, duke thënë se beson se është ende gjallë, megjithëse nuk është shfaqur publikisht prej muajsh.
Përgjegjësia për sulmin e 7 tetorit
Netanyahu pranoi se mban një pjesë të përgjegjësisë për dështimet që çuan në sulmin e Hamas më 7 tetor 2023, por theksoi se përgjegjësia është kolektive.
“Të gjithë mbajnë përgjegjësi, nga kryeministri e deri te udhëheqja ushtarake dhe e sigurisë”, deklaroi ai.
Megjithatë, ai vazhdon të mbështesë krijimin e një komisioni hetimor të emëruar politikisht, ndryshe nga kërkesa e shumicës së qytetarëve izraelitë për një hetim shtetëror të pavarur mbi ngjarjet e 7 tetorit.





