Kryeministri Edi Rama gjatë fjalës së mbajtur në asamblenë e Partia Socialiste në Elbasan u shpreh se vakumi i krijuar nga opozita, të cilën e cilësoi si një “katastrofë ambulante”, mund të mbushet me energji negative që sipas tij mund të pengojë rrugën e qeverisë.
Ai theksoi se aktualisht nuk ka zgjedhje të afërta parlamentare që të vënë në diskutim shumicën socialiste prej 83 mandatesh, ndërsa përmendi zgjedhjet vendore të vitit të ardhshëm si procesin e radhës elektoral.
“Vakumi i krijuar për shkak se opozita zyrtare është një katastrofë ambulante mund të mbushet me negativitet dhe me një energji që mund të na pengojë në këtë rrugë. Këtu nuk është çështja e aritmetikës, as se kemi përpara zgjedhjeve, sepse ne nuk kemi përpara zgjedhje, përveçse në vitin e ardhshëm kur do të bëhen zgjedhjet vendore, por ato janë rëndësinë e tyre, por nuk vënë në pikëpyetje shumicën tonë prej 83 mandatesh, por nuk duhet që kjo atmosferë të vërë në pikëpyetje peshën e përgjegjësisë për secilin prej nesh. Unë kam kërkuar që ne të jemi shumë më afër anëtarësisë dhe të bisedojmë për çështjet e mëdha politike, shoqërore, ndërkohë që ne duhet të flasim me të gjithë pse duhet të jenë krenare që janë pjesë e kësaj familje politike”, tha Rama.




