Policia spanjolle ka publikuar pamje të sekuestrimit më të madh të kokainës në Evropë, pas kontrolleve në një anije pranë Ishujve Kanarie në fillim të këtij muaji.
Një imazh i ngarkesës së madhe të vendosur në një skelë në Madrid, si dhe një fotografi e armëve të gjetura në bord, u publikuan nga Guardia Civil, një njësi elitare që heton krime të rënda.
Oficerët zhvilluan kontrolle në bordin e anijes “Arconian” 90 metra të gjatë, të regjistruar në Ishujt Komore, ku gjetën 27 ton (27,215 kg) drogë, me vlerë më shumë se 700 milionë paund (812 milionë euro). Sipas Gjykatës së Lartë të Spanjës, në kuadër të operacionit janë ndaluar edhe 23 persona, ekuipazh i anijes.
Ngarkesa e javës së kaluar tejkalon rekordin e mëparshëm evropian prej 22.7 tonësh (22,700 kg) të sekuestruar në Hamburg në Gjermaninë veriore në qershor 2024. Kjo sasi është më shumë se dyfishi i rekordit të Spanjës prej 11.8 tonësh (11,8000 kg), të gjetur në një dërgesë me banane ekuadoriane në Algeciras, në Spanjën jugore, vitin e kaluar.
Në anije u zbuluan gjithashtu armë zjarri dhe municione dhe oficerët gjetën gjashtë anëtarë të ekuipazhit, nga Holanda dhe Surinami, të fshehur kur hipën në anije. 17 anëtarët e tjerë të ekuipazhit ishin nga Filipinet.
Gjykata urdhëroi që ekuipazhi të mbahet në paraburgim pa lirim me kusht, duke theksuar seriozitetin e veprave të dyshuara penale, rrezikun e arratisjes dhe mundësinë e aktivitetit të mëtejshëm kriminal ndërsa hetimi vazhdon.
Anija “Arconian” u nis nga Freetown, kryeqyteti i Sierra Leones, më 22 prill, përpara se të kapej nga Guardia Civile në Atlantikun e Veriut midis bregdetit të Afrikës së Veriut dhe Ishujve Kanarie.





