Mbrëmjen e sotme në Tiranë në sheshin Italia, me rastin e Ditës së Europës mbahet koncerti me titull “Morricone është im atë”, që i kushtohet kompozitorit legjendar, Ennio Morricone.
Eventi drejtohet nga Andrea Morricone, i cili sjell të gjallë kujtimin e babait të tij, një prek kompozitorëve më të mëdhenj të kinemasë botërore.
Kryeministri Edi Rama ndau në rrjetet e tij sociale, një bashkëbisedim me Morricone-n, pak para nisjes së koncertit. Rama shprehet se ky koncert është diçka e sjellë në Tiranë nga Qendra për Hapje dhe Dialog e Kryeministrisë. Ai bën me dije më tej se koncerti është bashkëpunim mes qeverisë shqiptare dhe asaj italiane, ndërsa e cilëson si historik për shkak se kontributi financiar i Italisë është minorancë.
“Tani jemi gati për të shijuar diçka të jashtëzakonshme që është sjellë në Tiranë nga Qendra për Hapje dhe Dialog e Kryeministrisë, që ka edhe një veçanti për Ditën e Europës. Është bashkëpunimi ynë me qeverinë italiane përmes ambasadës. Bashkëpunimi i parë në histori kur financat e vëllezërve tanë dhe të motrës time në Romë janë pakicë. Pra aksionerë minorance në rrugën tonë drejt Europës”, shprehet Rama.
Kreu i qeverisë shihet krah ambasadorit të BE-së në vendin tonë, Silvio Gonzato, presidentit Bajram Begaj dhe zëvendëskryeministres Albana Koçiu, duke ndjekur koncertin bashkë me qindra të tjerë të pranishëm.





