Ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme zhvilloi një takim me Sekretarin e Përgjithshëm të NATO, Mark Rutte, ku u diskutua mbi situatën aktuale gjeopolitike dhe sfidat e sigurisë në hapësirën euroatlantike.
Në një postim në platformën X, ministri theksoi se në kushtet e sotme të një mjedisi gjithnjë e më kompleks dhe të paparashikueshëm, NATO mbetet më e rëndësishme se kurrë për garantimin e paqes dhe sigurisë kolektive.
Gjatë takimit u ritheksua nevoja për forcimin e mbrojtjes kolektive, rritjen e shpenzimeve në fushën e mbrojtjes, si dhe mbështetjen e vazhdueshme për Ukrainën.
Po ashtu, u diskutua edhe roli i Ballkanit Perëndimor në arkitekturën e sigurisë së Aleancës, ku u vlerësua rëndësia e misionit të KFOR për stabilitetin rajonal.
Shqipëria, siç u theksua në deklaratë, mbetet një aleat aktiv dhe i angazhuar në rritjen e kapaciteteve të saj mbrojtëse, ndërsa përgatitet të presë Samitin e ardhshëm të NATO-s në Tiranë.
Ministri Hoxha postim në X:
Sot, pata takimin tim të parë me Sekretarin e Përgjithshëm të NATO-s, Mark Rutte, në cilësinë time si Ministër për Evropën dhe Punët e Jashtme, në një kohë kur Shqipëria vazhdon të marrë më shumë angazhim dhe përgjegjësi brenda Aleancës.
Ndamë mendimin se në mjedisin e sotëm të sigurisë, gjithnjë e më kompleks dhe të paparashikueshëm, #NATO është më e rëndësishme dhe më e domosdoshme se kurrë. Forcimi i mbrojtjes kolektive, rritja e shpenzimeve të mbrojtjes, mbështetja e palëkundur për Ukrainën, si edhe zgjerimi i kapaciteteve industriale të mbrojtjes, mbeten prioritete për parandalimin, qëndrueshmërinë dhe sigurinë transatlantike.
Shqipëria e ka dëshmuar vazhdimisht veten si një #Aleat i besueshëm, i përkushtuar dhe aktiv. Kontributi ynë në sigurinë kolektive vazhdon të rritet përmes rritjes së investimeve në mbrojtje, modernizimit të Forcave tona të Armatosura dhe pjesëmarrjes aktive në misionet dhe operacionet e Aleancës. Bazuar në këtë trajektore, Shqipëria mbetet plotësisht e përkushtuar për të forcuar më tej aftësitë e saj mbrojtëse dhe për të siguruar që angazhimet tona përkthehen në gatishmëri konkrete operacionale që do të rrisin sigurinë kombëtare dhe atë kolektive.
Gjithashtu theksuam rëndësinë e ruajtjes së një fokusi të fortë dhe të unifikuar strategjik për Ukrainën. Shqipëria qëndron plotësisht në krah të Aleatëve për të ofruar mbështetje të qëndrueshme përmes mekanizmave të NATO-s, përfshirë trajnimin, ndihmën dhe ndërtimin afatgjatë të kapaciteteve, si pjesë e angazhimit tonë më të gjerë në mbrojtje të rendit ndërkombëtar të bazuar në rregulla.
Lidhur me Ballkanin Perëndimor, riafirmuam se angazhimi i vazhdueshëm i NATO-s mbetet thelbësor për ruajtjen e stabilitetit dhe sigurisë afatgjatë në rajon. Shqipëria do të vazhdojë të investojë në bashkëpunim më të fortë rajonal, koordinim më të ngushtë midis Aleatëve dhe efektivitetin e pranisë së NATO-s në Kosovë, me #KFOR-in që luan një rol të domosdoshëm stabilizues.
Duke parë përpara, folëm gjithashtu mbi përgatitjet e Shqipërisë për të pritur Samitin e ardhshëm të NATO-s në #Tiranë, i pari që do të zhvillohet në Ballkanin Perëndimor. Ky angazhim përfaqëson një përgjegjësi historike, sikurse edhe një rritje të besueshme të rolit të Shqipërisë brenda Aleancës, si dhe konfirmon rëndësinë strategjike të rajonit tonë.
U ndalëm gjithashtu në angazhimin e plotë të Shqipërisë, në koordinim të ngushtë me Selinë e NATO-s, për të ofruar një Samit të suksesshëm në Tiranë.







