Sot në mesditë skadon afati për të gjithë ata që synojnë të garojnë për postin e kryetarit të Partisë Demokratike, partisë më të madhe të opozitës në vend.
Deri tani, i vetmi kandidat i konfirmuar është lideri historik i kësaj force politike, Sali Berisha, i cili pritet të jetë edhe kandidati i vetëm për drejtimin e PD në katër vitet e ardhshme.
Juristja Alesia Balliu e ftuar në emisionin “Live në Mëngjes” në Vizion Plus ka kundërshtuar hapur kandidimin e Berishës, duke e akuzuar se po e trajton Partinë Demokratike si pronë private dhe po përjashton zërat kundër, ndërsa paralajmëron ndjekje të mëtejshme ligjore për zbatimin e statutit të miratuar nga anëtarësia.
Alesia Balliu: Berisha po e trajton PD-në si një pronë private dhe padiskutim zërin kundër e përjashton, siç është Salianji apo rasti im. Ai ka përjashtuar dy kandidatë të cilët plotësojnë kriteret e Statutit. Ky zotëria (Berisha) që ka legjitimuar veten në mënyrë jo ligjore sipas Statutit nuk plotëson kriterin për të garuar pasi “neni Basha” nuk e lejon. Berisha ka humbur dy herë zgjedhjet ndaj Ramës dhe për këtë nuk ka të drejtë të garojë. Statuti është votuar në 2021 nga anëtarët dhe unë do ndjek çdo hap ligjor për sa i përket kësaj situate që ky Statut të respektohet. Kam depozituar një kërkesë ku kam kërkuar tre gjëra; ndalimin e kandidimit të Sali Berishës sipas Statutit, komandimin e Sekretarit të Përgjithshëm deri në zgjedhjet e radhës dhe konstatimin e përfundimit të mandatit të Berishës në shtator të 2025.
Ndërkohë, juristja Alesia Balliu ka deklaruar se do të depozitojë zyrtarisht kërkesën për të garuar për kreun e Partisë Demokratike, duke theksuar kontributin e saj të hershëm në këtë forcë politike.
Balliu theksoi se prioriteti i saj do të ishte bashkimi i demokratëve dhe një riformatim i partisë, me përfshirjen e figurave të reja dhe të pakorruptuara. Sipas saj, rreth 30% e përfaqësuesve duhet të jenë individë të rinj, larg “xhaketave të vjetra”.
Ajo kritikoi liderin aktual Sali Berisha, duke deklaruar se ai nuk përfaqëson më vlerat që i duhen opozitës dhe se, sipas saj, Partia Demokratike nuk mund të fitojë zgjedhje nën drejtimin e tij.
Alesia Balliu: Unë do depozitoj kërkesën time për të garuar. Kontributi im është i hershëm. Vij nga një familje e djathtë, vij nga një familje që kanë themeluar PD e degës së Elbasanit. Kam marrë pjesë në çdo kauzë, në çdo protestë. E para gjë që do bëja do ishte bashkimi i çdo demokrati, 30% e personave që do të na përfaqëosnin do ishin individë të rinj dhe të pakorruptuar, larg xhaketave të vjetra. Partia Demokratike sot ka nevojë për riformatim, kauza reale, të cilat përfaqësohen nga individë me integritet të lartë moral. Fatkeqësisht Berisha nuk e përfaqëson sot. S’mund të akuzojmë ne për korrupsion duke pasur një “non grata” në krye të partisë. Me Sali Berishën nuk fitohet, me Sali Berishën nuk vihet në pushtet. Shqipëria ka nevojë për një opozitë serioze, ka nevojë për një opozitë që të heqë këtë qeveri. E vetmja gjë që e mban është Sali Berisha.





