Katër kandidatë kanë shpallur ambicien për të garuar përballë Sali Berishës për postin e kryetarit të Partisë Demokratike në zgjedhjet që do të zhvillohen në 23 maj.
Në selinë e PD sollën dokumentacionin e kandidimit ish-deputeti i PD Ervin Salianji, Alesia Balliu dhe mjekja nga Fushëkruja Mereme Sela, ndërkohë që ish-anëtarja e Komisionit të Rithemelimit, Evi Kokalari deklaroi se i ka dërguar nëpërmjet postës elektronike.
Ish-deputeti i PD Salianji dërgoi përfaqësuesit e tij në seli pasi ndodhet jashtë vendit, por asnjë prej anëtarëve të sektorit të organizimit nuk ndodhej në seli për të marrë zyrtarisht kërkesën për kandidim.
Bashkëpunëtorët e Ervin Salianjit dhe Alesia Balliut i lanë dokumentat tek recepsioni i Partisë Demokratike. Njësoj veproi edhe mjekja e Mereme Sela.
Disa javë më parë PD ka vendosur përjashtimin nga partia të Alesia Balliut dhe Ervin Salianjit, ndërkohë që sipas PD Evi Kokalari nuk ëshët anëtare e kësaj partie.
Ndaj në këtë situatë duket se asnjë prej tyre nuk mund të marrë pjesë në zgjedhjet e brendshme të PD.
Sekretari i Përgjithshëm Flamur Noka përsëriti sot këtë qëndrim dukë e akuzuar Ervin Salianjin për bashkëpunim më Ergys Agasin e Suel Çelën.
“Kur të caktohet gara për administratorin e Gysit, të shkojnë ta aplikojnë të gjithë. Për Partinë Demokratike duhet të jesh pikë së pari demokrat, jo t’i shërbesh Ramës, duhet të jesh njeri që u shërben demokratëve”, tha Noka.
Nga të gjithë kandidatët, Noka veçoi vetëm mjeken Mereme Sela.
“Mereme Sela është demokrate. Është anëtare e partisë. Prit, prit. Më fal. Është pritur, ka dorëzuar. A i plotëson kriteret, a s’i plotëson kriteret, është çështje e institucioneve”, tha Noka.
Sipas kritereve të vendosura nga komisioni zgjedhor në PD, për të marrë pjesë në këtë garë duhet që kandidati të këtë pasur funksione të larta drejtuese e të ketë bërë beteja politike e publike, ndaj duket se edhe mjekja Sela ka pak gjasa që hyjë në garë.
Në këtë situatë duket se në 23 maj kandidati i vetëm do të jetë lideri historik i PD, Sali Berisha i cili do të kërkojë mbështetjen e demokratëve për t’i udhëhequr në 4 vitet e ardhshme.





