Ndryshimet që ndodhin në trup me kalimin e viteve prekin edhe mbrojtjen tonë natyrale. Sipas Dr. Natalie Riddell, eksperte në imunologji dhe plakje, sistemi imunitar nuk “bie papritur”, por dobësohet gradualisht, duke e bërë trupin më të ndjeshëm ndaj infeksioneve dhe më të ngadalshëm në rikuperim.
“Kur jemi të rinj, një virozë e kalon shpejt dhe plagët shërohen pothuajse menjëherë. Me kalimin e moshës, këto procese bëhen më të ngadalta dhe infeksionet zgjasin më shumë,” shpjegon ajo.
Çfarë ndryshon në trup me moshën?
Një nga ndryshimet më të rëndësishme është ulja e qelizave T, të cilat janë përgjegjëse për identifikimin dhe shkatërrimin e viruseve dhe qelizave të dëmtuara. Me kalimin e kohës, trupi prodhon më pak nga këto “qeliza luftëtare”, duke e bërë më të vështirë përballjen me sëmundjet e reja.
“Gjëndra që prodhon këto qeliza fillon të zvogëlohet që në moshë të re, dhe kjo ndikon drejtpërdrejt në fuqinë e imunitetit,” thotë Riddell.
Po ashtu, bie edhe cilësia e antitrupave, proteinat që ndihmojnë trupin të njohë dhe neutralizojë infeksionet. Me moshën, jo vetëm që prodhohen më pak antitrupa, por ato bëhen edhe më pak efikase.
Një tjetër problem është rritja e inflamacionit kronik në trup, i njohur si “inflamaging”. Ky proces lidhet me sëmundje të zemrës, diabet, demencë dhe probleme të tjera serioze.
Si mund ta forcojmë sistemin imunitar?
Sipas ekspertes, lajmi i mirë është se këto ndryshime nuk janë të pandryshueshme dhe mund të ngadalësohen me zakonet e jetesës.
“Trupi reagon shumë ndaj mënyrës si jetojmë. Aktiviteti fizik, ushqimi dhe stresi luajnë rol të madh në shëndetin e imunitetit,” thekson ajo.
Ndër këshillat kryesore janë:
1. Aktiviteti fizik i rregullt
Ecja e shpejtë, noti apo biçikleta ndihmojnë në ruajtjen e qelizave imunitare dhe reduktimin e inflamacionit. Edhe 150 minuta në javë aktivitet mesatar mund të sjellin përfitime të dukshme.
Imunologia: Ja çfarë ndodh realisht me sistemin imunitar ndërsa
2. Gjumi i mirë dhe menaxhimi i stresit
Stresi kronik dhe mungesa e gjumit e përshpejtojnë plakjen e imunitetit. Pushimi dhe relaksimi ndihmojnë trupin të rikuperohet më mirë.
3. Ushqimi i shëndetshëm
Dieta mesdhetare e pasur me fruta, perime, drithëra dhe yndyra të shëndetshme ndihmon në uljen e inflamacionit dhe forcimin e mbrojtjes natyrale të trupit.
4. Shëndeti i zorrëve
Zorra luan rol kyç në imunitet. Ushqimet me fibra dhe ato bimore ndihmojnë në ruajtjen e mikrobiomës së shëndetshme, e cila ndikon drejtpërdrejt në forcën e sistemit imunitar.
Imunologia: Ja çfarë ndodh realisht me sistemin imunitar ndërsa
5. Kujdesi për energjinë e trupit
Qelizat me kalimin e moshës prodhojnë më pak energji, ndaj një dietë e balancuar dhe aktiviteti fizik ndihmojnë në ruajtjen e funksionit të tyre.





