Tetë fëmijë, të moshës nga një deri në 14 vjeç, janë vrarë me armë zjarri në Shreveport, në Louisiana, pranë kufirit me Teksasin.
Zëdhënësi i policisë së Shreveport-it, Chris Bordelon, ka deklaruar se, në atë që autoritetet lokale e kanë cilësuar si një “mosmarrëveshje familjare”, përveç tetë fëmijëve të vrarë, disa prej të cilëve të afërm të autorit të dyshuar, dy gra janë plagosur në kokë, por kanë mbijetuar, ndërsa një djalë është shpëtuar duke u hedhur nga çatia.
Hetuesit po vazhdojnë të mbledhin detaje në vendin e krimit, i cili shtrihet në tre zona të ndryshme: në 79th Street, në Harrison Street dhe në qytetin Bossier në Brompton Lane.
“Kjo është një skenë krimi jashtëzakonisht e madhe, ndryshe nga çdo gjë që shumica prej nesh ka parë ndonjëherë”, ka shtuar zëdhënësi i policisë.
Autori i dyshuar ka vjedhur një makinë për t’u larguar nga vendi i fundit i krimit, por më pas është ndjekur nga policia, ndjekje që ka përfunduar me vrasjen e tij në Bossier City.
“Besojmë se ai është i vetmi person që ka qëlluar”, ka thënë zëdhënësi, pa dhënë detaje mbi identitetin e tij.
Policia e shtetit të Luizianës ka ndërhyrë me kërkesë të policisë së Shreveport-it për të kryer hetimet teknike. Në një njoftim zyrtar është konfirmuar se asnjë polic nuk është plagosur gjatë shkëmbimit të zjarrit në ndjekje.
Gjatë konferencës për shtyp para banesës ku ndodhi një nga të shtënat, autoritetet janë shfaqur të tronditura dhe kanë kërkuar durim dhe lutje nga komuniteti ndërsa vazhdojnë hetimet.
Autoritetet u kanë bërë thirrje qytetarëve që kushdo që ka video, foto apo informacion të kontaktojë hetuesit.





