Zv. Ministri i MIE, kreu i ARRSH, kreu i AKMC si dhe përfaqësues të tjerë të instucioneve për mbarëvajtjen e rrugëve dhe hekurudhave në vend po mbajnë një konferencë për mediat lidhur me bllokimin e akseve rrugore.
Kreu i Hekurudhës Shqiptare, Ergys Verdho, deklaroi se në zonën e Dragostinjës, si pasojë e reshjeve të dendura të shiut dhe rritjes së volumit të lumit Shkumbin, janë shfaqur problematika të shtuara në infrastrukturën hekurudhore.
Sipas tij, masivi i zonës ka një histori rrëshqitjeje të hershme, të aktivizuar rreth 30 vite më parë, ndërsa reshjet intensive të katër muajve të fundit kanë rënduar ndjeshëm situatën, duke riaktivizuar planin rrëshqitës.
Verdho theksoi se të gjitha strukturat e Hekurudhës Shqiptare ndodhen në terren dhe kanë marrë masat e nevojshme për përballimin e emergjencës.
Ai bëri të ditur se institucioni do të ndërmarrë hapa konkretë për krijimin e një rruge permanente, si dhe për mobilizimin dhe devijimin e ujërave në shpatin problematik, përmes ndërtimit të pritave në lumin Shkumbin.
“Shpresojmë që reshjet të mos jenë prezente gjatë kohës së operimeve”, u shpreh Verdho.
Aktualisht, po kryhet survejimi topografik i zonës, ndërsa gjatë pranverës dhe verës do të vijojë investigimi gjeologjik. Paralelisht, do të përgatiten edhe projektet strukturore, bazuar në konsulencat teknike që orientojnë çdo ndërhyrje në rrugë dhe hekurudha.
Verdho: Në Dragostinjë, si pasojë e reshjeve të dendura të shiut dhe rritjes së volumit të lumit Shkumbin kemi pasur problematika të shtuara, ku do shtoja masivi i asaj zone ka një rrëshqitje e cila është aktivizuar 30 vjet më parë. Ky masiv i ngarkuar nga shirat e katër muajve të fundit, bëri planin rrëshqitës. Siç e tha dhe Kozeli, të gjitha strukturat tona janë në terren, kanë marrë masat e nevojshme. Ne do ndërmarrim hapat tonë për krijimin e rrugës permamente, do marrim masa për mobilizimin dhe mënjanimin e ujërave në atë shpat, duke bërë prita në Shkumbin. Shpresoj që shirat që mos jenë prezent në kohën që ne do operojmë. Të gjithë rrugët apo hekurudhat marrin drejtim nga konsulencat që ne kemi. Aktualisht ne po bëjmë survejimin topografik, në pranverë dhe në verë do të merremi me investigimin gjeologjik. Ndërkohë do përgatisim projektet struktural.





