Ferrasi në Fier është një nga zonat më të prekura nga përmbytjet, ku dëmet janë të konsiderueshme në banesa, toka bujqësore, sera etj.
Fatkeqësisht, përmbytjet kanë vijuar edhe gjatë kësaj të shtune, duke rënduar bilancin, pasi dhjetra banesa janë nën pushtetin e ujit dhe të baltës.
Banorët e fshatit e kanë shumë të vështirë rikthimin në normalitet, pavarësisht ndërhyrjes së bërë nga punonjësit e bashkisë, të cilët punuan me pompa për të larguar ujin nga shtëpitë e përmbytura.
Gjatë natës dhe në orët e para të mëngjesit, një pjesë e konsiderueshme e shtëpive është gjetur sërish nën ujë.
Dëmet e shkaktuara janë të konsiderueshme, ndërkohë banorët shprehen të pashpresë përballë kësaj situate.
Pavarësisht argjinaturave, të cilat janë dëmtuar rëndë, banorët thonë se asnjë përmirësim nuk ka sjellë, pasi thuajse çdo vit ata përballen me të njëjtën situatë.
Sipas banorëve, kjo përmbytje konsiderohet më e rëndë se ato të viteve të kaluara. Ata kujtojnë se edhe në përmbytjet e mëparshme kanë përfituar dëmshpërblime nga shteti, disa më pak e disa më shumë, por gjithsesi kanë marrë kompensim për dëmet.
Komisionet përkatëse, sipas tyre, kanë dalë në terren për të verifikuar dëmet dhe për të bërë vlerësimet paraprake. Megjithatë, banorët shprehen se aktualisht ndodhen në pritje, pa një informacion të qartë se sa do të jetë masa e dëmshpërblimit që do të përfitojë çdo familje.
Ata kërkojnë ndërhyrje më të shpejtë dhe mbështetje konkrete nga shteti, pasi situata mbetet e rëndë dhe jetesa e përditshme në këto kushte është bërë thuajse e pamundur.
/vizionplus.tv





