75 banesa, brenda dhe jashtë argjinaturës, janë nën pushtetin e ujit në fshatin Ferras. Mes ujit e baltës, ata rrëfejnë momentet e vërshimit të ujit, situatë që i ka gjetur tërësisht të papërgatitur. As masat e marra në momentin e fundit nuk mundën t’u vinin në ndihmë banorëve, pasi ujrat kanë vërshuar nga të gjitha anët.
“Jemi në një situatë katastrofike. Çdo gjë e përmbytur, brenda e jashtë. Dy net kemi fjetur në makinë. Ishim të detyruar të hiqnim bagëtinë. Ky ishte më i rëndi. S’kemi më shpirt të rikuperojmë shtëpinë. Jemi pensionistë. Ku të shkojmë? Ku t’i gjejmë që të shkojmë në një vend tjetër, me pensionin nuk ia dalim dot. Do ndez zjarrin aty, të rri me zonjën. Nuk kemi ku të shkojmë”, tha një banor.
Pavarësisht se uji arriti mbi 1 metër, banorët nuk u larguan nga banesat, me shpresën për të shpëtuar ç’të mundin dhe për të mos lënë vetëm bagëtitë, të cilat i kanë nxjerrë në rrugë.
“Pati çarje të argjinaturës. Ka mbërritur çdo gjë. S’kam çfarë të kërkoj. Nuk të ndihmon njeri, nuk na kanë sjellë një shishe ujë. S’dimë ku të vëmë. Nuk kemi siguri as brenda, as jashtë argjinaturës. Unë s’jam në punë. Me pulat ushqehem“, u shpreh një tjetër banor i fshatit.
Mëngjesin e sotëm, komisionet e verifikimit të dëmeve kanë dalë në terren për të verifikuar dëmet, ndërkohë që banorët mbeten me shpresën e përfitimit të dëmshpërblimeve.
Ata pohojnë gjithashtu se pasojat e përmbytjes së tanishme janë shumë herë më të mëdha krahasuar me ato të mëparshme.
/vizionplus.tv





