Pas disa muajsh negociatash, ndërsa siguria në vendin e tij mbetet e brishtë, presidenti Volodymyr Zelensky ka bërë me dije se Kievi do të përqendrohet këtë javë te aleatët evropianë në dy takime, me shpresën për të “përshpejtuar fundin” e luftës së Rusisë kundër Ukrainës
Por në prag të bisedimeve, një sulm ajror rus mbi kryeqytetin ukrainas, Kiev, dhe rajonin përreth vrau të paktën dy persona dhe plagosi disa të tjerë.
Shërbimi Shtetëror i Emergjencave i Ukrainës raportoi se sulmi shkaktoi zjarr në një institucion mjekësor në distriktin Obolon të Kievit, ku kishte një sallë operacioni. Pas shuarjes së flakëve, brenda ndërtesës u gjet një trup i pajetë.
Sipas Forcave Ajrore të Ukrainës, Moska kreu sulme gjatë natës me nëntë raketa, përfshirë edhe ato balistike si dhe 165 dronë.
Ndërkohë, Ukraina do të presë më vonë gjatë ditës së sotme një takim të shefave të shtabeve të përgjithshme të vendeve evropiane, përfshirë ato të mbështetësve kryesorë të Kievit: Britanisë, Francës dhe Gjermanisë.
Ndërsa nesër presidenti francez, Emmanuel Macron, do të organizojë në Paris një takim të udhëheqësve evropianë në një seancë edhe më vendimtare, në të cilën shefi I Elizesë ka premtuar se mbështetësit e Kievit do të bëjnë angazhime “konkrete” për sigurinë e Ukrainës.





