Policia e Elbasanit ka zbardhur dinamikën e krimit të ndodhur më 30 nëntor në Elbasan, ku mbeti i vrarë me dy plumba në kokë biznesmeni 43-vjeçar Mondi Mëhalla alias Edmond Hyka.
Në kuadër të hetimeve për ngjarjen, janë identifikuar dhe shpallur në kërkim dy shtetas të dyshuar si autorë të vrasjes.
Ndërsa janë vënë në pranga dy persona të tjerë, një nga bashkëpunëtorët dhe një 52-vjeçar. Ky i fundit, roja i karburantit, akuzohet për “Moskallëzim krimi”, pasi nuk ka dhënë informacion.
“Në përfundim të hetimeve u bë arrestimi i shtetasve Xhino Ago, 32 vjeç, banues në Elbasan, (i dyshuar si bashkëpunëtor), për veprat penale “Vrasje me paramendim”, kryer në bashkëpunim, dhe “Prodhimi dhe mbajtja pa leje e armëve, armëve shpërthyese dhe municionit” dhe Kujtim Pisha, 52 vjeç, për veprën penale “Moskallëzim i krimit”.
Dhe u shpallën në kërkim shtetasit Marselo Arani, 32 vjeç, banues në Elbasan, ndërkohë që ishte në masën e sigurisë “Arrest në shtëpi” për një tjetër vepër penale, si dhe Armando Kola, 35 vjeç, banues në Laç, (të dyshuar si autorë të vrasjes), për veprat penale “Vrasje me paramendim”, kryer në bashkëpunim, “Prodhimi dhe mbajtja pa leje e armëve, armëve shpërthyese dhe municionit” dhe “Largimi i të burgosurit nga vendi i qëndrimit””, njofton policia.
Nga veprimet hetimore rezultoi se automjeti i përdorur nga autorët është në pronësi të shtetasit Xhino Ago, i cili ia ka dhënë me hua për përdorje shtetasit Marselo Arani.
Grupi i posaçëm hetimor, nën drejtimin e Prokurorisë, vijon veprimet intensive hetimore për identifikimin dhe kapjen e personave të tjerë të përfshirë në këtë ngjarje.
Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Elbasan, për veprime të mëtejshme.





