Belgjika, Franca, Gjermania, Polonia dhe Britania e Madhe kanë kërkuar një mbledhje urgjente të këshillit të sigurimit pas përshkallëzimit të tensioneve mes Uashingtonit dhe Ankarasë dhe nisjes së operacioneve ushtarake në Sirinë Verilindore. Presidenti i Komisionit Europian, Jean-Claude Juncker kërkoi ndërprerjen e sulmeve turke ndaj kurdëve.

 

“Turqia ka probleme sigurie në kufirin e saj me Sirinë, që ne duhet t’i kuptojmë, megjithatë, i bëj thirrje Turqisë, sikurse çdo aktori tjetër, që të përmbahet. Një sulm do të përkeqësojë vuajtjet e civilëve”.

 

Presidenti amerikan, Donald Trump, deklaroi se nuk e miraton operacionin ushtarak, duke shtuar se Ankaraja tani mban përgjegjësi për të gjithë luftëtarët e të ashtuquajturit Shtet Islamik, në zonë.

 

Ndërsa Sekretari amerikan i Shtetit Mike Pompeo ka mohuar që ShBA i dha Turqisë një “dritë jeshile” për ofensivën në Siri. Pompeo mbrojti vendimin e kritikuar të Presidentit Donald Trump për të tërhequr trupat amerikane nga zona kufitare veriore.

 

Turqia të mërkurën filloi një sulm në territorin e mbajtur nga forcat e udhëhequra nga kurdët, aleatë kryesorë të SHBA. në rajon.

 

Presidenti Rexhep Tajip Erdogan tha se qëllimi ishte të krijonte një “zonë të sigurt” të pastruar nga milicit kurde. Por kritikët thonë se operacioni mund të çojë në spastrim etnik të popullatës lokale kurde në veri të Sirisë dhe një ringjallje të grupit militant të të ashtuquajturit Shtetit Islamik.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *