Deputeti i PD Oerd Bylykbashi ka komentuar krimet që kanë ndodhur sëfundmi, ku në vetëm 12 orë mbetën 4 viktima.

 

Në një postim në Facebook, Bylykbashi shkruan se në Shqipëri sot nuk ka siguri publike, teksa shton se kjo e fundit dhe shteti janë dy drejtëza të kithëta, që sot në Shqipëri nuk kryqëzohen fare me njëra-tjetrën.

 

Ai shton se interesi I qeverisë sot, nuk është të garantoj kushte më të mira në shëndetësi dhe arsim, por koncesionet dhe PPP-të.

 

Postimi i plotë:

 

Pasiguria publike që ulëret

 

Shteti dhe siguria publike janë dy drejtëza të kithëta, që sot në Shqipëri nuk kryqëzohen fare me njëra-tjetrën.

 

4 të vrarë në 12 orë. Vrasje, jo aksidente.

 

Kryeministrit i interesojnë pronat dhe paraja publike, jo siguria publike.

 

Çdo gjë publike që prodhon lekë atij i intereson dhe për to ai ka një privat, klientin e tij, me një projekt gati për zbatim me koncension, Partneritet-Publik-Privat, investim strategjik, tender sekret apo të drejtpërdrejtë.

 

Nga plehrat, plazhet, rrugët, analizat dhe sterilizimi i pajisjeve kirurgjikale, deri tek porti strategjik i Durrësit apo dhënia e shtetësisë shqiptare, çdo gje të qeverisjes publike po e jep me konçension, PPP apo investim strategjik tek privati.

 

Miliardat e buxhetit të varfër të një Shqipërie që grabitet ditën për diell, shkojnë për të paguar korrupsinceneratorët e plehrave që nuk egzistojnë, koncensionet e check-up që nuk bëhet por paguhet njësoj, apo të sterilizimit të pajisjeve kirurgjikale apo analizat spitalore ku u thuhet mjekëve ‘mos bëni më operacione apo analiza se kanë mbaruar fondet për këtë muaj’.

 

Këto i interesojnë Kryeministrit dhe jo siguria publike, shëndetësia apo arsimi ku duhet çuar paraja publike.

 

Shqiptarët jetojnë në gërr-mërrin e një sherrnaje nga mëngjesi në mbrëmje.

 

Del shqiptari nga shtëpia dhe grindet sapo del sepse komshiu i ka lënë plehrat tek hyrja e pallatit meqë shteti nuk merr masa të rregullojë administrimin e përbashkët apo sepse dikush i ka zënë garazhin por policia nuk ka mjet që ta heqë makinën.

 

Kur parkon mund të sherroset për vendin e parkimit dhe e gjitha mund të përfundojë me thikë në zemër si në Sarandë. Kur është rrugës, shansi është të rrezikojë nga atentati me breshëri që i bëjnë makinës përpara apo të rrezikojë nga të marrë me makina të shtrenjta lekësh droge që e parakalojnë nga e djathta.

 

Nëse nuk ka pronë është me fat se nuk rrezikon t’ia zaptojë kush. Në plazh nëse nuk bëhet pjesë e ndonjë sherri për çadrat apo nuk dhunohet nga ai që ka zaptuar plazhin publik, rrezikon kur hyn në det nga skafet që të vijnë në breg.

 

Në mos në plazh, në rrugë apo në hallin e vet, janë gjithë kohës në stres se diçka mund të shkojë dhunshëm keq. Pra ruhu vetë se shteti nuk është aty kur të cënohet siguria.

 

Ndërkohë lexojmë në lajme sesi bandat dhe organizatat kriminale lajnë hesapet e drogës që i kanë çelur më parë në Hollandë, Spanjë, Gjermani, Mbretërinë e Bashkuar apo Amerikën Latine.

 

Drejtorit të Pergjithshëm të Policisë nuk i duhen dylbi për ta parë këtë panoramë. Prokurorët nga ana tjetër kanë hallin e vetingut dhe jo të ndjekjes penale të krimit, siç e pohuan përfaqësuesit prokurorisë në parlament. Gjykatat po njësoj. Reforma në drejtësi e Ramës e mat suksesin jo me bosa të krimit të dënuar dhe plasur në burg por me sa gjyqtarë e prokurorë janë larguar.

 

Kryeministri e ka dhënë me PPP edhe sigurinë publike me formulën cinike “Hëngshin Kokat e Veta – HKV”.  Vetë i prishin pazaret, vetë t’i lajnë! Sa më shumë të vriten aq më pak janë në xhiro. Pak rëndësi ka që qytetarët tmerrohen apo mund të vriten tek tavolina ngjitur me viktimën e atentatit mafioz.

 

Kryeministrit i intereson paraja e kriminelëve për të mbushur buxhetin e boshatisur nga grabitja që i ka bërë. Edhe për këtë ka menduar një zgjidhje: Amnisti Fiskale. Ky është sterilizatori gjigand që paranë kriminale e kthen në para publike.

 

Për ta anestetizuar regimin publik, të vraret i paraqet si statistikë e ftohtë krahasimore me grafikë në ekrane LED, pavarësisht se ka nëna që qajnë për ata bij që vriten.

 

Fundja Hollivudi është plot me filma me vrasje – do të thoshte ministrja përkatëse.

 

Çfarë duhet bërë?

 

Qartësi, reagim, protestë dhe votë. Asnjë qeveri nuk u reziston këtyre elementëve të bërë bashkë.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *