Autoritetet në Liban vendosën të ndalojnë filmin Barbie, duke thënë se ai promovon homoseksualitetin dhe shkel vlerat e kombit.

 

Ministri i Kulturës Mohammad Mortada e ndaloi filmin nga kinematë, duke thënë se “ai bie ndesh me vlerat morale dhe fetare, si dhe me parimet e Libanit”.

 

Ministri tha se “filmi gjithashtu promovon devijimin seksual dhe transeksualitetin”. “Devijimi seksual” është një term që përdoret zakonisht në Lindjen e Mesme për t’iu referuar homoseksualëve.

 

Ndalimi vjen mes retorikës së shtuar anti-LGBTQ nga disa politikanë dhe zyrtarë qeveritarë në Liban dhe në Lindjen e Mesme.

Libani dikur konsiderohej si një nga vendet më liberale shoqërore në Lindjen e Mesme.

Edhe Kuvajti vendosi të ndalojë filmin Barbie, duke pretenduar se “ai përmban ide që inkurajojnë sjellje të papranueshme dhe një mesazh që shtrembëron vlerat mbizotëruese të shoqërisë”.

 

Ndjenja anti-LGBTQ është gjithashtu në rritje në Irak, ku rregullatori shtetëror i medias lëshoi të martën një ndalim mediatik të fjalëve “homoseksualitet” dhe “gjini”, duke kërkuar që ai të zëvendësohet me “devijim seksual”. Censura është në fuqi për të gjitha mediat, kompanitë telefonike dhe të internetit.

 

Flamujt e ylberit janë djegur në protestat e fundit nga grupet myslimane shiite në Irak në kundërshtim me djegiet e Kuranit në Danimarkë dhe Suedi.

 

“Barbie” i kaloi pritshmëritë e arkëtimit, duke arritur në 1 miliardë dollarë të ardhura tre javë që nga publikimi.

 

Filmi u ndalua gjithashtu në Vietnam në fillim të korrikut, për shkak të një harte që përshkruan pretendimin e Kinës për detin e Kinës Jugore./Living/

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *