Kreu i Bindjes Demokratike, Astrit Patozi reagoi ashpër pas zhvillimeve të kësaj të hëne për reformën zgjedhore.

Ai e cilësoi shou të gjitha përplasjet politike të shënuara për këtë çështje. Sipas Patozit, pavarësisht gjithçkaje, në fund asgjë nuk do të ndryshojë sepse të gjithë kanë rënë dakord për këtë.  

“Ia vlen më shumë debati për godinën e teatrit, sado i vjetër dhe i lodhur të jetë bërë, se sa ky teatri i shpifur për debatin e reformës zgjedhore. Të paktën, për të parin e dimë që palët ndërluftuese nuk janë në një mendje, pavarësisht motiveve dhe maskave që përdorin për të fshehur qëllimet e vërteta politike dhe financiare. Ndërsa për reformën elektorale nuk ka asnjë kuptim të bëjnë sikur zihen, ndërkohë që ka një dakordësi të plotë dhe të qartë për të mos ndryshuar asgjë thelbësore për mënyrën se si zgjedhin dhe zgjidhen prej shumë vitesh shqiptarët. Nuk ka asnjë rëndësi, nëse dështon fare apo arrihet ndonjë kompromis i minutës së fundit për ngjyrën e kutive te votimit, sepse rezultati i të ashtuquajturës reformë zgjedhore do të jetë i njejtë. Statukuoja do të ruhet dhe sistemi i kalbur elektoral do të vijojë të prodhojë pushtet dhe përfaqësim të deformuar politik.”

Me ironi, Astrit Patozi u shpreh në “Facebook” se më e lehtë është të gjesh vaksinën për koronavirusin sesa të ndryshosh Kodin Zgjedhor.

“Është e vetmja garë e lirë dhe pa kosto, që nuk prodhon asnjëherë fitues dhe humbës prej dekadash në Shqipëri, ndaj edhe askush nuk e merr seriozisht, si ata që aktrojnë, ashtu edhe të tjerët që e ndjekin. Ndaj edhe zero pritshmëri apo vëmendje për pingpongun e shëmtuar PS-PD në Komitetin Politik dhe më gjerë. Ata e kanë më të lehtë të shpikin vaksinën për COVID 19-tën, se sa të ndryshojnë kënetën, që i ushqen prej vitesh me një pushtet të pamerituar dhe të korruptuar, i cili buron nga pamundësia e qytetarëve shqiptarë për të zgjedhur të lirë ata që duan.”

Këtë të hënë PD-LSI propozuan që reforma të mbarojë deri në 31 maj, takimet të rikthehen ballë për ballë dheë që të merren parasysh çështjet e propozuara nga opozita.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *