Subscribe

Dy javë para zgjedhjeve për Parlamentin e BE-së, kryetarët e shteteve dhe të qeverive të vendeve të unionit u mblodhën në Sibiu të Rumanisë ku deklaruan angazhimin e tyre për ta bërë Europën një lider global të përgjegjshëm në të ardhmen.

 

Presidenti i Këshillit Europian, Donald Tusk gjatë një konference për shtyp bëri të ditur se menjëherë pas zgjedhjeve, më 28 maj, do të thërrasë një takim të të gjithë 28 udhëheqësve të bllokut, me qëllim që të fillojë procesi i emërimit për zgjedhjen e krerëve të institucioneve të BE.

 

“Mund të them një gjë me siguri të plotë. Udhëheqësit kanë demonstruar kategorikisht se duan të marrin përgjegjësi të plotë politike jo vetëm për ngjarje apo sfida të veçanta, por për Bashkimin Evropian në tërësi. Besoj se një mënyrë e tillë e të menduarit është e rëndësishme  për të siguruar funksionimin efektiv të të gjithë komunitetit tonë.”

 

Takimi në Rumani pati në fokus shqyrtimin e agjendës strategjike për 5 vitet e ardhshme dhe përfundoi me nënshkrimin e deklaratës së Sibiut, e cila përmban 10 pika të rëndësishme që do të ndikojnë në formësimin e të ardhmes së unionit.

 

“Ne do të vazhdojmë të mbrojmë stilin tonë të jetës, demokracinë dhe sundimin e ligjit”, thekson deklarata, duke konkluduar se BE-ja do të “trajtojë bashkërisht çështjet globale, të tilla si ruajtja e mjedisit dhe luftimi i ndryshimeve klimatike”.

 

Kancelarja gjermane, Angela Merkel, tha se pavarësisht mosmarrëveshjeve politike, të gjithë anëtarët e BE-së besojnë se është më mirë të veprojmë së bashku.

 

“Kjo do të thotë se mund të garantojmë paqen dhe prosperitetin, por gjithashtu duke bashkuar zërat tanë mund të bëjmë thirrje për mbrojtjen e vlerave të përbashkëta në të cilat besojmë. Bota nuk është duke fjetur. Ne duhet të jemi novatorë, të fortë dhe të bashkuar. Dhe unë jam e gatshme ta përsëris sot këtë në emër të qeverisë gjermane.”

 

Shumë politikanë europianë i kanë deklaruar këto zgjedhje si “vendimtare”, ndër ta edhe presidenti francez, Emmanuel Macron, që në fillim të fushatës zgjedhore madje iu drejtua me një apel 28 shteteve anëtare për reformim themelor të BE që është e kërcënuar.

 

Vetëm 43% e 445 milionë qytetarëve dhanë votën e tyre në vitin 2014 për Parlamentin Europian. Edhe kësaj here nuk pritet ndonjë pjesëmarrje më e lartë, thonë ekspertët.

 

Mobilizimi i votueseve duket se nuk është i lehtë. Po ashtu në 28 vendet anëtare nuk zhvillohet një fushatë e njësuar ashtu si edhe partitë nuk janë njësoj. Vetëm në pak shtete anëtare, Itali, Francë, Gjermani, Holandë, – takohen kandidatët e partive europiane në debate përballë njëri-tjetrit.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *