Policia ka zbardhur dy raste zjarrvënieje në territorin e Durrësit, ndërsa në pranga kanë rënë tre persona të dyshuar si autorë. Të arrestuarit janë Shaban Domi, 44 vjeç, Ilir Rika, 48 vjeç, dhe Reshit Jaheshi, 59 vjeç.
Dy prej tyre, Ilir Rika dhe Reshit Jaheshi, dyshohet se shkaktuan zjarrin në fshatin Ishëm, ndërsa Shaban Domi akuzohet për zjarrvënien në fshatin Rreth të Shijakut.
Sipas Policisë, në rastin e Ishmit, Rika dhe Jaheshi ndodheshin në banesën e shtetasit S. L., ku po prisnin tuba hekuri me gur fresibël. Shkëndijat e krijuara dyshohet se shkaktuan zjarrin, i cili më pas u përhap në sipërfaqet bujqësore përreth, duke përfshirë dhjetëra hektarë tokë, qindra pemë frutore dhe ullinj. Për këtë rast, dy të arrestuarit akuzohen për veprën penale “Shkatërrimi i pronës me zjarr”.
Ndërkohë, Shaban Domi dyshohet se ka ndezur zjarr në fshatin Rreth, Shijak, ku si pasojë janë djegur tela të rrjetit elektrik dhe sipërfaqe me bimësi. Për këtë rast, materialet i janë referuar Prokurorisë për veprat penale “Shkatërrimi i pronës me zjarr” dhe “Shkatërrimi i rrjetit elektrik”.
Policia e Durrësit u bën apel qytetarëve të tregojnë kujdes maksimal dhe të shmangin çdo veprim që mund të shkaktojë zjarre. Në mënyrë të veçantë, banorët që djegin mbetjet bujqësore apo pastrojnë territorin përmes djegies paralajmërohen se do të përballen me përgjegjësi ligjore. Policia fton qytetarët të denoncojnë çdo rast zjarrvënieje në numrin 112.
/vizionplus.tv





