Stuhia ‘Boelo’ godet aeroportin e Amsterdamit, anulohen dhjetëra fluturime

Dhjetëra fluturime janë anuluar në aeroportin Schiphol të Amsterdamit për shkak të erërave të forta, duke shkaktuar ndërprerje në trafikun ajror.
Sipas Agjencisë Franceze të Lajmeve (AFP), në faqen e nisjeve të aeroportit janë evidentuar 90 fluturime të anuluara, kryesisht drejt qyteteve evropiane, si Parisi, Roma dhe Dublini.
Probleme janë raportuar edhe me fluturimet në mbërritje, ku dhjetëra prej tyre janë anuluar ose kanë pësuar vonesa për shkak të stuhisë Boelo.
Përmes një njoftimi, aeroporti Schiphol paralajmëroi se kushtet e pafavorshme atmosferike do të ndikojnë në fluturime gjatë ditës së diel.
“Për shkak të erërave të forta, sot, të dielën, më 25 tetor, pritet të ngrihen dhe të ulen më pak avionë”, thuhet në deklaratën e aeroportit.
Deri më tani, autoritetet e aeroportit nuk kanë bërë të ditur numrin e saktë të fluturimeve që do të preken nga stuhia.
Pasagjerët këshillohen të kontrollojnë statusin e fluturimit të tyre përpara se të nisen drejt aeroportit, pasi situata mund të sjellë anulime dhe vonesa të tjera.




