E diel, 25 Tetor 2026 Lajme Ora 12:00 dhe Moti deri në 12:20 Në vijim ora 12:20: Trashëgimtari Halef Reklamo Kontakt Karriera
Vizion Plus
Vendi

“Dje persona të maskuar sulmuan Policinë e Shtetit me gurë”, ministri i Brendshëm: Aktet e dhunës nuk mund të justifikohen në emër të protestës

Ministri i Brendshëm, Ervin Demo, ka reaguar sot pas protestës së 24 tetorit në Tiranë, ku pati përplasje mes protestuesve dhe Policisë së Shtetit, dëmtime të institucioneve publike e pronave private, si dhe persona të plagosur.

Në reagimin e tij, Demo dënoi aktet e dhunës gjatë protestës, duke theksuar se ato nuk kanë lidhje me të drejtën kushtetuese për protestë paqësore. Ai kërkoi që çdo dyshim për organizimin, financimin apo nxitjen e dhunës të hetohet nga organet kompetente dhe përgjegjësitë të përcaktohen mbi bazën e provave.

Reklamë

Kreu i Ministrisë së Brendshme u ndal edhe te rasti i të riut të plagosur në sy gjatë protestës, për të cilin janë nisur hetimet dhe është pezulluar një punonjës policie.

Demo theksoi se ligji duhet të zbatohet pa përjashtim, edhe ndaj efektivëve të Policisë së Shtetit, ndërsa nënvizoi rëndësinë e hetimit të çdo pretendimi për përdorim të paligjshëm ose joproporcional të forcës.

Reklamë

Në përfundim të reagimit, ministri shprehu mbështetjen për punonjësit e policisë, por theksoi se ushtrimi i detyrës duhet të shoqërohet gjithmonë me profesionalizëm, vetëpërmbajtje dhe respektim të ligjit.

Reagimi i plotë i ministrit të Brendshëm, Ervin Demo:

Dje, qendra e Tiranës u përball sërish me një valë të rëndë dhune. Persona të maskuar sulmuan punonjësit e Policisë së Shtetit me gurë, mjete piroteknike, shkopinj e sende të forta, dëmtuan institucione publike, shkatërruan dhe plaçkitën prona private, duke rrezikuar jetën dhe sigurinë e qytetarëve dhe të forcave të rendit.

Këto akte nuk kanë asgjë të përbashkët me protestën paqësore dhe me të drejtën kushtetuese të qytetarëve për të shprehur pakënaqësitë e tyre. Aktet e dhunës nuk mund të justifikohen në emër të protestës dhe as të përdoren si instrument politik për destabilizimin apo goditjen e institucioneve të vendit.

Përgjegjësia nuk kufizohet domosdoshmërisht tek autorët e drejtpërdrejtë. Çdo dyshim për organizimin, financimin apo nxitjen e akteve të dhunës, përfshirë përfshirjen e mundshme të strukturave politike apo grupimeve ekstremiste, duhet të hetohet nga organet kompetente dhe të vlerësohet mbi bazën e provave.

Për çdo shkelje të ligjit do të kërkohet përcaktimi i përgjegjësisë individuale dhe, sipas rastit, përgjegjësisë për dëmet e shkaktuara ndaj pronës publike dhe private, në përputhje me procedurat ligjore.

Por dua të jem po aq i qartë edhe për një parim tjetër themelor: ligji është i njëjtë për të gjithë, edhe për ata që mbajnë uniformën e Policisë së Shtetit.

Çdo pretendim për përdorim të paligjshëm apo joproporcional të forcës duhet të hetohet me paanshmëri. Pezullimi i punonjësit të Policisë dhe nisja e hetimeve për rastin e të riut të lënduar në sy janë hapa konkretë për zbardhjen e plotë të ngjarjes dhe përcaktimin e përgjegjësive mbi bazën e provave.

Çdo qytetar dhe çdo punonjës policie i lënduar meriton vëmendje, kujdes dhe respekt. Siguria publike është, mbi të gjitha, mbrojtje e jetës dhe e integritetit fizik të njerëzve.

Shpreh mbështetjen dhe mirënjohjen time për punonjësit e Policisë së Shtetit që, në kushte të vështira dhe përballë rrezikut, vijojnë të përmbushin detyrën e tyre. Kjo detyrë kërkon vendosmëri, por gjithmonë profesionalizëm, vetëpërmbajtje dhe respektim të ligjit.

Në Francë, në Itali, në Shqipëri apo në çdo demokraci europiane, parimi është i njëjtë: liria e protestës mbrohet, ndërsa aktet e dhunës trajtohen sipas ligjit.

Qeveria mbetet e hapur për dialog me qytetarët dhe për adresimin e kërkesave të tyre legjitime. Zëri i qytetarëve duhet të dëgjohet, por dhuna nuk mund të jetë mjet presioni ndaj institucioneve dhe as të zëvendësojë dialogun demokratik.

Detyra jonë është të garantojmë që çdo qytetar të protestojë i lirë dhe i sigurt, që Policia të ushtrojë autoritetin e saj vetëm brenda kufijve të ligjit dhe që askush të mos qëndrojë mbi të.

Vendosmëri ndaj dhunës.

Respekt për protestën paqësore. Përgjegjësi përpara ligjit, pa përjashtim.

Vazhdo të lexosh

Reklamë

Lini një koment

Me respekt — komentet moderohen nga redaksia.
Nuk publikohet kurrë.