Subscribe

Nevaldo Hajdaraj, efektivi i forcave “Shqiponja” që qëlloi për vdekje 20-vjeçarin Klodian Rasha rrezikon 20 vite burg. Prokuroria ka konkretizuar ndryshimin e akuzës drejt policit, i cili tashmë akuzohet për vrasje me dashje, ndryshe nga qëndrimi i parë i organit të akuzës që e akuzonte efektivin për veprën penale  “tejkalimit të kushteve të vetëmbrojtjes”.

Sipas prokurorisë, polici ka qëlluar dy herë me armën e shërbimit pasi kishte marrë pozicion për të goditur, duke qenë i shtrirë.

Organi i akuzës shtoi se në pamjet e sekuestruara të kamerave të sigurisë duket që Klodian Rasha u qëllua nga polici kur po ikte me vrap në drejtim të shtëpisë.

Prokuroria e Tiranës saktëson se arma e gjetur në një pellg me ujë 80-100 metra larg vendit të ngjarjes, ende mbetet e paidentifikuar se kujt i përket.

Klodian Rasha u qëllua me armë zjarri nga efektivi i policisë Nevaldo Hajdaraj, në 8 dhjetor, rreth orës 01:45, në zonën e Laprakës. Rasha nuk i ishte përgjigjur thirrjes së dy policëve të forcave “Shqiponja” për të ndaluar dhe më pas në ndjekje e sipër u qëllua nga efektivi, për të humbur jetën pak më vonë në spital.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *