Gjykata e Durrësit ka liruar nga qelia ish-efektivin e RENEA-s Arbër Paplekaj që ishte dënuar për vrasjen e Pjerin Xhuvanit, 4 ditë para zgjedhjeve të 25 prillit 2021 në qytetin e Elbasanit.
Pas dënimit me 22 vite burg nga shkalla e parë ai kërkoi rihapjen e procesit ku përfundimisht u dënua me 7 vite heqje lirie. Nga këto, atij i kanë mbetur edhe 6 muaj e 1 ditë dënim, afat kohor, të cilin do e përfundojë në liri.
Kujtojmë që Apeli me Juridiksion të Përgjithshëm në Tiranë ndryshoi vendimin e gjykatës së Elbasanit, e cila më 22 korrik 2023, e dënoi me 22 vite duke i ulur 15 vite nga dënimi. Gjykata e Apelit ndryshoi dhe akuzën nga ‘vrasje në rrethana cilësuese’ në ‘vrasje në kushtet e tronditjes psikike”
Njoftimi i plotë i Gjykatës së Durrësit:
- Pranimin e kërkesës së kërkuesit A.P.
- Lirimin me kusht të kërkuesit (të dënuarit) A.P, për pjesën e mbetur të pavuajtur prej 6 (gjashtë) muaj e 1 (një) ditë burgim.
- Në bazë të neneve 61 dhe 64 të Kodit Penal detyrohet kërkuesi A. P.të mbajë kontakt me Shërbimin e Provës Durrës gjatë periudhës prej 6 (gjashtë) muaj e 1 (një) ditë dhe të mos kryejë vepër tjetër penale gjatë periudhës së provës së mësipërme.
- Bazuar në nenin 60 pika 9 të Kodit Penal detyrohet kërkuesi A. P. të mos shoqërohet me persona të dënuar gjatë periudhës së provës.
- Urdhërohet lirimi A. P. nga Dhomat e burgimit të I.E.V.P Durrës nëse nuk mbahet i arrestuar apo i dënuar për ndonjë vepër tjetër penale.
- Një kopje e këtij vendimi i dërgohet Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Durrës për zbatim.
- Kundër këtij vendimi mund të bëhet ankim në Gjykatën e Apelit të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë brenda 15 ditëve nga e nesërmja e komunikimit të vendimit.
U shpall më datë 16.12.2025./vizionplus.tv





