E hënë, 23 Nëntor 2026 Dielli i Dimrit deri në 15:00 Në vijim ora 15:00: Lajme Ora 15:00 dhe Moti Reklamo Kontakt Karriera
Vizion Plus
Kosova

Vizita katërditore e Jakup Krasniqit në Kosovë, flet i biri: Babai ishte mirë, erdhi për shkak të gjendjes së nënës

Vizita katërditore e ish-kryetarit të Kuvendit të Kosovës, Jakup Krasniqi, në Kosovë u bë për arsye humanitare, pas përkeqësimit të gjendjes shëndetësore të bashkëshortes së tij, Sevdijes. Këtë e ka bërë të ditur djali i tij, Altin Krasniqi, i cili ka falënderuar qytetarët për mbështetjen dhe solidaritetin e treguar ndaj familjes gjatë kësaj periudhe. Ai ka konfirmuar gjithashtu se babai i tij gëzon shëndet të mirë.

Në një prononcim për KosovaPress, Altin Krasniqi u shpreh se vizita ishte e nevojshme për shkak të gjendjes së nënës së tij, ndërsa vlerësoi mbështetjen e qytetarëve. “Vizita ka qenë shumë e mirë, ka pasur nevojë, ka qenë për shkak të gjendjes së nënës, të cilës i falënderoj të gjithë ata që na kanë mbështetur, gjithë qytetarët. Edhe babai ishte mirë me shëndet”, deklaroi ai.

Jakup Krasniqi qëndroi për katër ditë në Kosovë, pasi Dhomat e Specializuara në Hagë i dhanë leje për vizitë për arsye të forta humanitare. Gjatë kësaj kohe, ai qëndronte për disa orë çdo ditë në banesën e tij në lagjen Velania të Prishtinës, pranë familjes dhe bashkëshortes, ndërsa netët i kalonte në ambientet e EULEX-it në Fushë Kosovë. Vizita u zhvillua nën masa të rrepta sigurie dhe me shoqërimin e Policisë së Kosovës dhe EULEX-it. Në përfundim, Krasniqi u rikthye në Hagë.

Kjo ishte vizita e dytë e tij në Kosovë që prej arrestimit dhe transferimit në Hagë në nëntor të vitit 2020. Vizitën e parë e kishte zhvilluar në tetor 2024, pas vdekjes së vëllait të tij. Kujtojmë se më 16 shtator 2026, Gjykata Speciale në Hagë e dënoi në shkallë të parë me 25 vite burgim.

Vazhdo të lexosh

Reklamë

Lini një koment

Me respekt — komentet moderohen nga redaksia.
Nuk publikohet kurrë.