Vendim i pazakontë në Iran/ Burrat nuk lejohen të ndjekin ndeshjet e futbollit të femrave, kërkohet ndërhyrja e FIFA-s

Një vendim i pazakontë ka shkaktuar reagime të forta në futbollin ndërkombëtar. Në Iran është vendosur ndalimi i pranisë së burrave në stadiumet ku zhvillohen ndeshjet e futbollit të femrave, një masë që ka përfshirë jo vetëm tifozët, por edhe personelin profesional të ndeshjeve.
Sipas raportimeve të “The Athletic”, në muajin tetor Organizata e Ligës së Futbollit iranian u ka dërguar një urdhër klubeve, duke ndaluar hyrjen e meshkujve në stadiumet ku zhvillohen takimet e futbollit të femrave.
Vendimi u bë veçanërisht i dukshëm përpara derbit historik të femrave mes Esteghlal dhe Persepolis, dy prej klubeve më të njohura në Iran. Takimi u zhvillua më 28 tetor dhe përfundoi me fitoren 2-1 të Persepolisit, ndërsa në stadium u lejuan të qëndronin vetëm femrat.
Rasti ka shkaktuar reagime nga organizata të rëndësishme ndërkombëtare për të drejtat e njeriut. Human Rights Watch, Amnesty International dhe Sport & Rights Alliance i kanë bërë thirrje FIFA-s të marrë masa ndaj Federatës Iraniane të Futbollit, duke argumentuar se ky vendim bie ndesh me parimet e mosdiskriminimit.
Sipas nenit 4 të statutit të FIFA-s, diskriminimi për shkak të gjinisë është i ndaluar dhe mund të ndëshkohet deri me pezullim ose përjashtim nga organizata.
Nga ana e saj, FIFA ka rikujtuar rregullat e saj kundër diskriminimit dhe ka shprehur synimin për të vijuar dialogun me Federatën Iraniane të Futbollit.
Ky vendim vjen në një kohë kur Irani ka një histori të gjatë kufizimesh për gratë në stadiumet e futbollit. Për dekada me radhë, femrat janë përballur me ndalime për të ndjekur ndeshjet e futbollit të meshkujve, ndërsa vetëm në vitet e fundit është lejuar pjesërisht rikthimi i tyre në tribuna.
Tashmë, organizatat ndërkombëtare kërkojnë që FIFA të mos mjaftohet vetëm me dialogun, por të ndërmarrë hapa konkretë për të garantuar barazinë dhe mosdiskriminimin në futbollin iranian.




