Subscribe

Në shenjë mirënjohje për kontributin e Shqipërisë për të dërguar mjekë dhe infermierë në Itali, në një moment të vështirë me betejën ndaj COVID-19, një grup çiklistësh nga Conegliano Veneto erdhën në Tiranë, pasi përshkuan në nje tur çiklistik thuajse gjithë Ballkanin, nga Sllovenia, Kroacia, Bosnje Hercegovina dhe Mali i Zi.

Ata u pritën në një takim nga kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, i cili e quajti gjestin e çiklistëve simbol të mirënjohjes mes fqinjëve.

 

“Është një kënaqësi e jashtëzakonshme të kemi në Tiranë disa vëllezër nga Italia, të cilët bënë një tur çiklistik, duke u nisur nga Conegliano, qyteti i tyre, për të ardhur në Shqipëri, si shenjë falënderimi ndaj kontributit të Shqipërisë dhe insistimit të kryeministrit për të çuar infermierët dhe mjekët në Itali gjatë  situatës së COVID-19. E vlerësoj jashtë mase këtë simbol të solidaritetit sepse besoj se sado që të bëjnë qeveritë apo qytetet, ajo që bëjnë njerëzit është e paçmueshme”, tha Veliaj.

Ai tha se ndihet i emocionuar që edhe pas dy vitesh, ky gjest i Shqipërisë nuk është harruar.

 

“Ashtu siç pashë shumë italianë që u emocionuan kur ekipet mjekësore nga Shqipëria u përcollën nga kryeministri për të ndihmuar në Itali, ashtu edhe unë ndihem sot shumë i emocionuar që, pas dy vitesh, kur ne e kishim harruar si ngjarje, me një botë që prodhon ngjarje përditë, institucioni i mirënjohjes vlen ende. Ndihem vërtet i prekur”, tha Veliaj.

Në emër të kolegëve të tij, çiklisti italian Andrea Michelet falenderoi Shqipërinë që në momentet më të vështira i qëndroi në krah Italisë, duke dhënë ndihmën me stafet e saj mjekësore.

 

“Ne kemi ardhur nga Italia, si shenjë mirënjohje për mjekët. Kjo gjë u mundësua falë nesh, falë kryebashkiakut të Conegliano-s, falë asistencës sanitare, por mbi të gjitha, unë duhet t’ju falënderoj juve për atë çka keni bërë”, tha Andrea Michelet.

Ndërkaq, Veliaj nënvizoi se Shqipëria ka një raport special me Italinë, çka tregohet dhe në shkëmbimet tregtare mes dy vendeve dhe numrin e lartë të qytetarëve italianë që jetojnë dhe punojnë në Tiranë.

 

“Sot kemi pa fund të rinj shqiptarë që janë rritur, studiojnë në Itali, siç kemi të rinj italianë që studiojnë në Shqipëri. Kemi një komunitet italian edhe në Tiranë, 20-25 mijë qytetarë që jetojnë këtu. Do të thotë se sot jemi lidhur në mënyrë të pazgjidhshme me njëri-tjetrin. Me luftën që kemi në kufijtë e Evropës, me agresionin rus ndaj Ukrainës, gjithmonë bëhet e rëndësishme pyetja: Kush janë fqinjët tanë? Për ne është një bekim i madh që jemi fqinj me Italinë dhe që kemi këtë raport kaq special”, u shpreh Veliaj.

Dy vite më parë, Shqipëria  dërgoi një ekip mjekësh dhe infermierësh në Italinë fqinje për ta ndihmuar për pandeminë e koronavirusit. Autoritetet italiane falënderuan në atë kohë Shqipërinë si një vend që nuk i braktis asnjëherë fqinjët.

Leave a Reply

Your email address will not be published.