Kryetari i Bashkisë së Tiranës Erion Veliaj ka reaguar këtë të mërkurë për herë të parë që pas ceremonisë së betimit, duke bërë të ditur se është i vendosur që bashkë me anëtarët e rinj të Këshillit Bashkiak të realizojë çdo zotim të dhënë.
Veliaj tha se puna e bërë në 4 vitet e shkuar do të vijojë edhe në këtë mandat të dytë për ta transformuar Tiranën në një qytet europian dhe modern.
“Në këto 4 vite bashkë me mbështetjen e qeverisë, bëmë shumë për Tiranën e shekullit të ri.
Jam besimplotë që në këtë mandat të dytë, e gjithë energjia ime dhe e anëtarëve të rinj të Këshillit Bashkiak do të shkojë për përmbushjen e çdo premtimi që kemi dhënë. Bashkë!”, shkruan Veliaj.
Veliaj u betua pasditen e të martës në prani të kryeministrit Edi Rama, ndërsa u angazhua se në këtë 4 vjeçar do bëj më shumë punë të mira për Tiranën dhe do të angazhohet çdo ditë për ti shërbyer dhe rritur mirëqenien e qytetarëve të saj.
Ai deklaroi se nuk do t’i zhgënjejë qytetarët dhe se do të punojë për vijimin e projekteve transformuese për qytetin.