Mosreagimi i kryeministrit Edi Rama dhe ministres së Arsimit Besa Shahini lidhur me ngjarjen e rëndë në Memaliaj ku humbën jetën dy mësues aksidentalisht, ka revoltuar ish-deputetin demokrat, Luçiano Boçi, i cili e ka konsideruar një vrasje shtetërore.

 

Sipas tij, mësuesit që ndërruan jetë duhet të ishin në autobusin që duhej vendosur posaçërisht për transportin e tyre dhe jo në makinën personale, ndërsa shton se vrasja do ishte shmanguar nëse përkujdesi për transportin e tyre të ishte realizuar.

“Vrasja e mësuesit/ Mësuesit e shkollës në Krahës të Tepelenës, humbën jetën rrugës së kthimit, pas ndarjes me nxënësit e tyre. Ngjarja e rëndë tronditi familjarët, por dhe kolegët e fëmijët e shkollës. Ata ishin në krye të detyrës fisnike. Pas hutimit të parë prej dhimbjes, prita që dikush të reagonte. Prita se mos Besa qëllonte fjalët e duhura, se mos përmendte ndonjë vlerësim për ta, për punën e tyre plot mund e sakrifica, të shoqëruar me një mea culpa për lënien e kujdesit ndaj tyre krejt pas dore, për shkak të korrupsionit dhe të paaftësisë, por kjo nuk ndodhi. Shpresova mos Rama, që e mban veten për fjalaman dhe Kryeministër që “vdes” për mësuesit, do kishte shkruar dy gisht status për vdekjen e tyre tragjike për shkaqe shtetërore. Por dhe tek ai asnjë fjalë për dy “heronjtë”, se për mua janë të tillë”

 

Ndër të tjera, Boçi shkruan se heshtja e tyre kërkon fshehë gjurmët e një krimi dhe tragjedie që implikon drejtpërdrejtë ata vetë, fajtorët që fshihen propagandas.

 

“Një heshtje që është në vazhdën logjike të gjitha vrasjeve që i janë bërë mësuesve përgjatë këtyre viteve. Ditë për ditë. Vendim pas vendimi. Humbja e jetës së dy mësuesve në aksidentin tragjik dhe plagosja e dy të tjerëve, sado të hyjë tek rastësitë aksidentale, nuk është aspak e tillë. Ngjarja është një skenë krimi qeveritare e paralajmëruar më parë. Mësuesve jua mori jetën jo fati i keq apo i mbrapshtë. Ishte papërgjegjshmëria, neglizhenca dhe babëzia e zyrave shtetërore që fillojnë nga Kryeministri, vazhdojnë me Ministren e Bashkinë e mbarojnë me Zyrat arsimore. Atë ditë mësuesit të cilët nxitonin të arrinin nxënësit e tyre në klasën e mijëra ëndrrave, sikurse çdo ditë tjetër, duhet të ishin në autobusin, apo mjetin e vënë në dispozicion për to dhe për nxënësit. Por ka kohë që për to s’pyet askush. Jo vetëm në Tepelenë, por kudo në Shqipëri. Prandaj ajo është një vrasje. Një vrasje shtetërore e parandjekur nga dhjetëra vrasje të përditshme që i janë bërë mësuesit përgjatë këtyre viteve. Sikur-et e shumta që shoqërojnë mendimet e dhimbjen e të afërmeve, kolegëve dhe nxënësve përmbyllen vetëm me një sikur.”

 

Ish-deputeti vijon reagimin e tij duke  thënë se qeveria aktuale ka “vrarë mësuesin” që kur misioni i tyre u shndërrua në një shërbesë banale politike me pahir.

 

“Mësuesi është vrarë që kur profesionin e tij mësimdhënës e shndërruan në profesion letrashkruesish.
Mësuesi është vrarë që kur është braktisur nga ata në mëshirën e fatit e profesionit të vet, i lënë mes katër rrugëve pa dalje dhe siguri për të nesërmen. Mësuesi është vrarë që kur ai denigrohet, shkelet me këmbë, përçmohet nga komisarët politikë që kanë uzurpuar drejtimin e institucioneve arsimore Mësuesi është vrarë që kur vlerësimi financiar për të konsiderohet i tepërt. Mësuesi është vrarë që kur arroganca e pushtetit e konsideron atë si njeri të dorës së dytë. Mësuesi është vrarë që pa lindur me mbylljen masive të degëve që përgatisin mësuesë. Mësuesi po vritet çdo ditë sepse është lënë i vetëm në sakrificën e tij.”

 

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *