Në Maqedoninë e Veriut, opozita e drejtuar nga VMRO-DPMNE thotë se ka formuar shumicën e re parlamentare, ndërsa synon të formojë një qeveri të re.

Drejtuesi opozitar Hristijan Mickovski tha të shtunen se nëse nuk garantohet qëndrueshmëria, atëherë do të shkohet në zgjedhje të parakohshme. Ndërkaq, Aleanca për Shqiptarët e quan shumicën e paralajmëruar një “liri për qytetarët dhe luftë kundër krimit e korrupsionit”. Megjithatë, ende nuk janë bërë zyrtare të gjitha qëndrimet e partive, të cilat do të merrnin pjesë në këtë shumicë të paralajmëruar.

Njoftimi i bërë ditën e premte për shumicën e re parlamentare nga opozita maqedonase dhe ajo shqiptare është pritur në mënyra të ndryshme në Maqedoninë e Veriut, por një gjë që shton dilemat këtu është se si eventualisht do të bashkëqeverisin partitë shqiptare me partinë nacionaliste E Majta nëse e marrin pushtetin.

Kryetari i VMRO-DPMNE-së Hristijan Mickovski tha sot se shumica e re parlamentare u formua dhe ajo është garanci se qeveria e Zaevit ka rënë.

“Do të formojmë qeveri, por nëse nuk garantohet qëndrueshmëria, do të shkojmë në zgjedhje të reja”, tha ai gjatë një konference shtypi, ndërsa shtoi më tej se kryeministri Zoran Zaev i tradhëtoi pritjet e popullit të Maqedonisë, se nuk solli rezultate dhe se qeverisi me mashtrime dhe bërje pazaresh në kurriz të çështjeve jetike të këtij vendi. Ai e akuzoi kryeministrin edhe për zhytjen e popullit në varfëri, siç tha, për rritjen e inflacionit, dhe afera që shtohen për çdo ditë, siç u shpreh.

Ndërkohë, Lidhja Social-Demokrate e pushtetit u përgjigj se Mickovski me këtë vërtetoi se është i interesuar vetëm për pushtet me çdo kusht dhe nuk ka asfarë ideje politike, e as vlera dhe platformë.

LSDM-ja thotë se zoti Mickovski synon tarrëzojë qeverinë me një parti që është pjesë e qeverisë aktuale – Lëvizja Besa; se do ta çojë vendin përpara, por me një partner koalicioni anti-Nato dhe anti-amerikan, si partia E Majta.

Për analistin Selim Ibrahimi formimi i një shumice të re parlamentare është një ngjarje e pritur pasi Komisioni Shtetëror i Zgjedhjeve vendosi përsëritjen e votimit në disa qendra të komunës së Zhelinës, ku garuan kandidatët e Lëvizjes Besa dhe të BDI-së.

Ai thotë se raportet e tensionuara midis dy partive shqiptare në qeveri, pas disfatës së BDI-së në Tetovë dhe marrjes së pushtetit atje nga Lëvizja Besa dhe sidomos goditja në Zhelinë që konsiderohet si qendër e themelimit të Lëvizjes Besa, shtyri këtë të fundit që t’i bashkohet shumicës me opozitën.

“Kjo paraqitje e re, një format prej 16 deputetësh, pra me VMRO-DPMNE-në dhe aleatët e saj, paraqet një ngjarje të re për shkak se kjo parti me vite është cilësuar si parti që i është kushtuar euro-integrimeve, megjithatë mbetet të shihet se çfarë në këtë lëvizje do të ketë dhe si partitë shqiptare Lëvizja Besa dhe Alternativa pra edhe Aleanca për Shqiptarët do të sillen përballë orientimeve gjeostrategjike, pra euro-integrimeve, raporteve speciale me SHBA. Gjithashtu, me rëndësi është të shihet se çfarë ka dalë nga takimi në mes presidentit (Pendarovski) dhe ambasadores së SHBA-së dhe pozicionit të ri që do të mbajnë këto parti, për sa i përket Marrëveshjes së Prespës dhe çështjes së emrit (të vendit)”, thotë analisti.

Ndërkaq, kryetari i BDI-së, Ali Ahmeti, ka shkruar në Facebook se gjendjen e krijuar me dorëheqjen e kryeministrit janë duke e menaxhuar me të gjitha palët, me përjashtim të atyre që e mohojnë Marrëveshjen e Ohrit, të Prespës, NATO-n, BE_në, Kosovën dhe gjuhën shqipe, duke aluduar në partinë nacionaliste E Majta.

“Nuk do të veprojmë as me emocione e as në eufori”, thekson zoti Ahmeti, teksa shprehet se për zhvillimet e fundit po komunikon me partnerët strategjik, SHBA, NATO dhe BE.

Nga ana tjetër, partitë e opozitës po bëjnë gati kërkesën për mocionin e votëbesimit ndaj qeverisë së zotit Zaev. Nëse ajo procedohet në parlament pa zvarritje dhe rrëzohet qeveria e social-demokratëve dhe BDI-së, atëherë presidenti i vendit duhet të emërojë një mandatar të ri për formimin e kabinetit qeveritar. Zyra e presidentit Pendarovski ka bërë të ditur para pak ditësh se presidenti do t’ia dorëzojë mandatit atij që garanton ta ketë shumicën parlamentare (prej 61 votash në parlamentin prej 120 vendesh).

Analistë të tjerë mendojnë se Maqedonia e Veriut po rrëshqet drejt një krize të thellë politike që do të vonojë reformat e domosdoshme për integrimin e vendit në Bashkimin Evropian, teksa zgjedhjet e parakohshme parlamentare do të jenë të pashmangshme.

Social-demokratët e Zaevit dhe Integristët e Ahmetit e morën pushtetin pas zgjedhjeve të vitit të kaluar. Lëvizja Besa doli në koalicion me Lidhjen Social Demokrate dhe fitoi katër deputetë. Së fundmi, kryetari i partisë, Bilall Kasami që fitoi garën në Tetovë për t’u bërë kryetar komune, ndërsa ishte deputet, e la partinë me një ligjvënës më pak në parlament dhe atë e zëvendëoi, sipas radhës në listë, një përfaqësues i Lidhjes Social Demokrate.

Lidhja Social Demokrate në zgjedhjet e fundit doli me rreth 50 mijë vota më pak se sa rivalja VMRO-DPMNE, teksa Bashkimi Demokratik për Integrim fitoi 105 mijë vota në listat e anëtarëve të Këshillave Komunalë, pa llogaritur mbështetjen e mundshme në komunat ku nuk garoi. Aleanca për Shqiptarët me Alternativën fituan rreth 50 mijë vota në këto zgjedhje./VOA

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *