Me daljen në treg të vaksinës kundër koronavirusit dhe nisjen e procesit të vaksinimit, edhe ekonomia do të marrë një hov të ri. Për Maksim Casllin, drejtor i Deloitte Shqipëri-Kosovë, me vaksinën do të shërohet edhe ekonomia. Gjatë një interviste në “E-ZONE”, ai deklaroi se qysh kur u miratua vaksina e parë, pati impakt në ekonominë botërore. Sipas tij, kjo vjen për shkak të rritjes së besimit.

 

“Ky është një lajm i mirë për ekonominë. Gjithë ekonomia botërore, me miratimin e vaksinës dhe me procesin e vaksinimit pati një rritje. Po të shikojmë bursat e gjithë botës, kanë një rritje gati 20-30%. Kjo për arsye se vaksina sjell edhe rritjen e besimit që kjo e keqe do të kalojë. Kjo ka sfidat e veta se deri kur do të arrihet ky imunitet i popullatës sepse akoma ka të papritura.”

 

Maksim Caslli është i bindur se edhe rimëkëmbja ekonomike në Shqipëri do të jetë e lidhur me procesin e vaksinimit. Në fakt, ai thotë se ringritja ekonomike në vendin tonë do të ndikohet edhe nga sa shpejt e marrin veten vendet ku jetojnë shqiptarët.

 

“Edhe rimëkëmbja ekonomike do të jetë e lidhur me procesin e vaksinimit. Ne shumë të ardhura i kemi ca nga turizmi, ca nga shqiptarët që punojnë në Gjermani, Itali, etj., nëse ato vende do ta heqin të keqen sa më shpejt, do të japin impakt edhe tek ne. Pritej që vende të varfra dhe të vogla si vendi ynë nuk do të ishin të parat për vaksinimin dhe duam, nuk duam ne, do të jemi disa muaj mbrapa të tjerëve. Por po ta shikosh edhe deri tani,  duke patur parasysh moshën relativisht të re të popullsisë tonë, ne besoj se e kemi kaluar një përqindje më e madhe sesa të tjerët, por nuk kemi të njëjtin fatalitet sa të tjerët. Duhet të përgatitemi që dalë-ngadalë ne do ta kalojmë këtë me vaksinë, por edhe me imunitet të krijuar nga virusi. Besoj që deri nga nëntori-dhjetori i viti tjetër duhet të kemi arritur imunitetin e tufës. E rëndësishme është sesi e mendon bota e biznesit, sepse pas kësaj njerëzit mendojnë sesi do të investojnë, a do të jenë më të tërhequr apo më të avancuar në investimet e tyre. Më shumë ka të bëjë me besimin dhe psikologjinë e njerëzve.”

 

Në analizën e tij, Caslli u shpreh se më keq se viti 2020 nuk do të ketë, por megjithatë edhe viti 2021 nuk do të jetë fort i mirë.

 

 

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *