Lëvizja Vetëvendosje vijon të kritikojë marrëveshjen ekonomike që u nënshkrua mes Kosovës dhe Serbisë në praninë e presidentit Donald Trump më 4 shtator. Në një konferencë për shtyp, Glauk Konjufca u shpreh se dakordësia mes palëve në shtëpinë e bardhë mund të quhet nënshtrim pa njohje. Sipas tij, disa pika të marrëveshjes, shkelin kushtetutën e vendit.

GLAUK KONJUFCA ANETAR KRYESIE, LVV

 “Për herë të parë, një kryeministër i papërgjegjshëm u pajtua që Ujmani të jetë pjesë e negociatave me Serbinë. Resureset e Kosovës janë të patjetërsueshme. Këtë e përcakton edhe Kushtetuta e Kosovës. Ai që mendon se mund t’i japë resurse Serbisë, bën një krim të madh”.

Në pikën 7 të marrëveshjes, Kosova dhe Serbia pajtohen të punojnë me Departamentin amerikan të Energjisë, me qëllim të përdorimit të përbashkët të Liqenit të Ujmanit.Ky liqen është furnizues jetik i ujit dhe energjisë në Kosovë. Pjesa më e madhe e tij, përkatësisht 70 për qind, ndodhet në territorin e Kosovës, ndërsa 30 për qind në territorin e Serbisë.

Glauk Konjufca u shpreh edhe kundër minishengenit ballkanik, ndërsa ftoi partitë e tjera opozitare që të bashkohen në një mocion mosbesimi për të rrëzuar qeverinë Hoti.

Ndërkohë, Albulena Haxhiu deklaroi se pezullimi për një vit i përpjekjeve për anëtarësim në organizata ndërkombëtare është një lëshim i madh, që gjithashtu shkel kushtetutën. Lëvizja Vetëvendosje deklaroi se po shqyrton mundësinë për ta dërguar marrëveshjen në Gjukatën Kushtetuese.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *