Presidenti Donald Trump tha se po “sundon vendin dhe botën” në mandatin e tij të dytë, në një intervistë me The Atlantic.
“Herën e parë, kisha dy gjëra për të bërë, të drejtoja vendin dhe të mbijetoja, me të gjithë këta njerëz të korruptuar”, tha ai.
“Herën e dytë, unë po drejtoj vendin dhe botën”, theksoi ai.
Trump, i cili ka nënshkruar tashmë më shumë se 140 urdhra ekzekutivë në më pak se 100 ditë për të arritur në mënyrë të qëllimet e tij politike dhe për të kërkuar “hakmarrje “ndaj kundërshtarëve të tij politikë, duket se po e shijon më shumë mandatin e tij këtë herë, shkruan The Atlantic.
“Po argëtohem shumë, duke pasur parasysh atë që bëj”, tha ai.
“E dini, ajo që bëj unë është shumë serioze”, shtoi ai.
Trump përmendi gjithashtu pritjen e ngrohtë që ka marrë nga anëtarë të elitës së miliarderëve, si Mark Zuckerberg dhe Jeff Bezos.
“Thjesht ekziston një nivel më i lartë respekti,” komentoi ai.
“Ndoshta në fillim nuk më njihnin mirë, ndërsa tani më njohin”, tha Trump.
Intervista u zhvillua më 24 prill në Shtëpinë e Bardhë, në prani të kryeredaktorit të Atlantic, Jeffrey Goldberg, i cili kohët e fundit ishte në qendër të vëmendjes kur u zbulua një rrjedhje informacioni mbi planet ushtarake nëpërmjet një aplikacioni mesazhesh.
Mbi mundësinë e një mandati të tretë
I pyetur për skenarët në lidhje me një mandat të tretë, të cilin ai e ka lënë të kuptohet pavarësisht kufizimit të Kushtetutës, Trump nuk e përjashtoi kategorikisht këtë mundësi.
“Kjo do të ishte një kthesë e madhe, apo jo?” tha ai duke qeshur. “Ndoshta po përpiqem vetëm të shkaktoj telashe”, tha ai.