Kryetari i Partisë Demokratike Sali Berisha, nga Kongresi i Partisë Popullore Evropiane, akuzoi kryeministrin Edi Rama se po përpiqet të deformojë vullnetin e qytetarëve në betejën elektorale të 11 majit.
Gjatë fjalës në Kongresin e PPE në Spanjë, Berisha deklaroi se kryeministri i ka shndërruar zgjedhjet në Shqipëri në fasadë.
“Shqipëria sot është shteti i parë dhe i vetëm narkoshtet në Europë, ku gjithë pushtetet janë në dorën e një njeriu të vetëm. Siç kanë vërejtur edhe vëzhguesit ndërkombëtarë, përmes një industrie mafioze të blerjes së votës dhe një makinerie masive intimidimi, ai ka vënë nën kontroll të plotë vullnetin e qytetarëve dhe ka kthyer zgjedhjet në një fasadë. Në këto zgjedhje, përveç të gjitha atyre që përmenda më sipër, ai ka bllokuar debatet televizive, ka shpërndarë 100 euro si dhuratë për vota për 800,000 pensionistë, dhe ka dhënë 100 licenca për kultivim kanabisi me moton “Kanabis për Vota”. Ai e ka kthyer narkoshtetin e tij në një makineri zgjedhore”, tha Berisha.
Sipas kryetarit të PD Berisha, i gjithë pushteti në Shqipëri është i përqendruar në një dorë të vetme, në dorën e kryeministrit Edi Rama.
“Kryeministri, i cili shfaqet në samite ndërkombëtare me atlete të bardha dhe kryen plaçkitje, sillet në vend si një diktator i mirëfilltë. Ai kontrollon të gjithë ekonominë. Kontrollon të gjithë median. Në fund, ai bllokoi TikTok-un, duke e bërë vendin të duket njësoj me Kabulin dhe Teheranin. Dokumente, mijëra dokumente nga vende partnere, provojnë sot se shteti dhe krimi janë një sipërmarrje e përbashkët në vendin tim”, shtoi ai.
Gjithashtu Berisha akuzoi kryesocialistin Rama se përdori çdo mjet kundër opozitës.
“Si Zayed i Tunizisë, në vit elektoral, ai zgjodhi të arrestojë tre liderë të partive kryesore të opozitës, vetëm sepse ishin kundërshtarë politikë dhe pa asnjë, asnjë, asnjë provë kriminale. Përveç kësaj, diktatori tiranik, narkodiktatori, ka korruptuar shefin e kundërzbulimit të FBI-së, Charles McGonigal, që të punonte kundër opozitës shqiptare. I dha atij 225,000 dollarë, por ju siguroj që nuk ishte i vetmi që u ble kundër opozitës”, deklaroi Sali Berisha.
Gjatë vizitës në Spanjë, Berisha takoi Zëvendëspresidentin e Partisë Popullore Evropiane, Siegfried Mureșan, me të cilin diskutoi për rëndësinë e zgjedhjeve të ardhshme si në Shqipëri.
Kryetari i PD Berisha takoi edhe kryeministrin grek Mitsotakis. /vizionplus.tv





