Koronavirusi i ri ka infektuar më shumë se 2.5 milionë persona në të gjithë botën tashmë. 900 mijë prej tyre gjenden vetëm në SHBA ku numërohen më shumë se 45 mijë viktima.

Presidenti Donald Trump ka përsëritur përballë gazetarëve suksesin e strategjisë së testimeve ndërsa ka sulmuar sërish Kinën për origjinën e Covid-19.

DONALD TRUMP

PRESIDENT I SHBA

“Askush nuk ka qënë më i ashpër me Kinën sesa unë, jo vetëm në këtë situatë të pazakontë por edhe më herët. Në komunikimet që kam patur me liderët e shtetit kam kërkuar të qartësohet kjo cështje ndërsa ne po vazhdojmë hetimet intensive. Unë nuk e di se nga erdhi armiku i padukshëm edhe pse i kemi disa mendime.”

Ky reagim vjen vetëm një ditë pasi shteti i Misurit u bë i pari në botë që ngriti një padi në gjykatë për qeverinë kineze duke e akuzuar vendin për fshehjen e informacionit dhe mungesën e veprimeve për të ndaluar përhapjen e sëmundjes.

Procedimi gjyqësor i Misurit pretendon se bashkësia mjekësore kineze kishte të dhëna për transmetimin nga njeriu te njeriu i virusit dhe nuk e informuan Organizatën Botërore të Shëndetësië kur raportuan për herë të parë shpërthimin.

Ndërkohë sa i takon pezullimit të emigracionit, presidenti Donald Trump sqaroi se vendimi do të jetë në fuqi për 60 ditë dhe do të vlejë për kartat jeshile.

“Duke ndalur përkohësisht emigrimin, ne do të ndihmojmë t’i vendosim të parët në radhë amerikanët e papunë. Do të ishte e gabuar dhe e padrejtë që ata të zëvendësoheshin me punëtorë emigrantë të ardhur nga jashtë. Kushtet ekonomike do të jenë përcaktuese në vendimin për të zgjatur apo jo këtë masë e cila vlen vetëm për ata që kërkojnë qëndrim të përhershëm dhe jo për punonjësit e përkohshëm.”

Kreu i Shtëpisë së Bardhë bëri të ditur se 20 shtete që përbëjnë 40 % të popullsisë amerikane po përgatiten që të rifillojnë ekonominë shumë shpejt.

“Do ta bëjnë këtë në mënyrë të sigurt, vendi do që të kthehet në punë”, shtoi Trump.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *