Përplasja dhe dalja nga shinat e dy trenave në zonën e Andamuzit, mbrëmjen e së dielës po konsiderohet si një nga aksidentet hekurudhore më të rënda në historinë e Spanjës. Sipas përditësimeve të fundit, nga tragjedia kanë humbur jetën 39 persona, ndërsa 152 të tjerë janë plagosur.
Sipas mediave spanjolle, dy deri në tre vagonët e fundit të një treni ekspres kanë dalë nga shinat për shkaqe ende të paqarta dhe janë përplasur me një tren të shpejtësisë së lartë që po udhëtonte në drejtim të kundërt, duke shkaktuar edhe daljen nga shinat e këtij të fundit dhe pasoja të rënda për pasagjerët.
Aksidenti i fundit renditet si i katërti më vdekjeprurës në historinë e hekurudhave spanjolle. Spanja ka njohur disa tragjedi të rënda hekurudhore që nga viti 1944, ndërsa më e fundit para kësaj ndodhi në korrik të vitit 2013, kur një tren doli nga shinat në zonën e Santiago de Compostela, duke shkaktuar vdekjen e 79 personave dhe plagosjen e 145 të tjerëve.

Një nga aksidentet më fatale të shekullit XX u regjistrua në janar të vitit 1944, kur një tren ekspres, që udhëtonte nga Madridi drejt Galicisë, u përplas me një lokomotivë gjatë manovrave në dalje të stacionit. Sipas të dhënave zyrtare të kohës, humbën jetën 78 persona dhe u plagosën 75 të tjerë, megjithatë vlerësime jozyrtare flasin për deri në 500 viktima.
Një tjetër aksident i rëndë ndodhi në vitin 1972, kur një përplasje ballore në linjën Kadiz–Sevilje shkaktoi 79 viktima. Aksidenti u regjistrua pas përplasjes mes një autobusi hekurudhor dhe një treni ekspres.
/vizionplus.tv





