Pretendimet se Shqipëria duhet të paguajë 1 miliardë dollarë për t’u bërë anëtarë të Bordit të Paqes u hodhën poshtë nga Ministrja për Europën dhe Punët e Jashtme Elisa Spiropali.
Në një konferencë për mediat, kryediplomatja shqiptare dha edhe detaje sa i përket tryezës ndërkombëtare për administrimin e Gazës.
Lexo edhe :
“Nuk ka detyrime financiare. Është një ftesë nga presidenti Trump, pra e drejtpërdrejtë. Nuk ka angazhim tjetër përveçse angazhimit të shpallur botërisht dhe që ne sot e deklarojmë për marrjen pjesë në këtë bord. Shqipëria, me statusin e anëtarit themelues, do të shohim në vijim angazhimet që burojnë nga statuti”, tha Spiropali.
Spiropali gjithashtu komentoi deklaratat e opozitës sa i përket pezullimit të vizave për 75 vende, përfshirë dhe Shqipërinë, duke u shprehur se ftesa e Trump shpjegon qartë se marrëdhënia e mirë mes dy vendeve vijon.
“Të gjithë ata që pa asnjë përgjegjhsmëri publike, u turrën ta helmojnë publikun me parrullën “SHBA-të vendosën Shqipërinë në listën e zezë”, duke komentuar me ngazëllim gënjeshtrën se vendimi në fjalë, na lidhej me ndëshkimin e narkoshtetit të tyre imagjinar, e kanë marrë përgjigjen as më shumë e as më pak, po direkt nga Presidenti Donald Trump, i cili ka nënshkruar në letrën e tij se, Shqipëria është një partner i mrekullueshëm dhe Edi Rama është një udhëheqës i respektuar botërisht”, tha Spiropali.
Ministrja e Jashtme sqaroi se deklaratat e Sekretarit Amerikan të Shtetit Marco Rubbio se kartelet nga vendet e tjera, janë kërcënimi më i madh për sigurinë e Shteteve të Bashkuara, nuk i referohen Shqipërisë.
“Sa i përket deklaratave të sekretarit Amerikan të Shtetit për të luftuar kartelet e drogës në asnjë moment nuk i referohen vendit tonë, e cila nuk përjashtohet nga fenomene të tilla por që nuk mbajnë përgjegjësi as shqiptarët si etni dhe as autoritetet në vendet e tjera ku ato shfaqen”, tha ajo.
Sa i përket deklaratave të Kryeministrit Rama se Ministria e Jashtme po dështon, kryediplomatja Spiropali pranoi se ka ardhur momenti për një reformim, i cili do të bazohet në meritokraci.






