Në zemër të alpeve shqiptare, Thethi nuk është më thjesht një destinacion turistik, është një përvojë unike që mbetet gjatë në kujtesën e çdo vizitori.
Nga Australia në Zelandën e Re, nga Franca, Austria e deri në Gjermani, turistët nga çdo cep i globit po zbulojnë bukuritë e këtij fshati piktoresk, duke e vendosur Thethin në listën e destinacioneve më të dashura.
“Jam nga Australia, e dua Thethin aq shumë sa kam ardhur në Shqipëri 8 javë më parë dhe, në total, kam kaluar gati një muaj këtu në Theth, duke u larguar dhe kthyer përsëri, sepse e dua aq shumë. Ti vjen në Theth, eksploron ujvarën, del për ecje tek Syri i Kaltër, noton në ujin e ftohtë, shkon në male, ha ushqim të mirë tradicional, pi me miqtë e tu, të jep ty një lloj të magjisë së vet dhe të përfshin brenda saj”, tha një turiste.
“Jemi nga Austria, ne na pëlqen natyra dhe vendosëm të vinim në Theth sepse kërkuam një vend më të largët. Ne shkuam tek Syri i Kaltër, natyrë shumë e bukur do të thoja dhe vetëm mund ta rekomandoj”, tha një tjetër.
“Ne po bëjmë shtigjet e Majave të Ballkanit, u ndalëm këtu të vizitonim këtë kishë dhe të marrim një impresion nga Thethi. E zgjodhëm sepse i duam malet, shtigjet. Ne jemi nga Gjermania, shqiptarët janë shumë miqësorë, na pëlqen kjo gjë, i duam malet dhe kjo është përshtypja jonë e pare”, u shpreh një turiste.
Por Thethi nuk është vetëm peizazh, është gjithashtu traditë, kulturë dhe mikpritje autentike shqiptare.
Një nga risitë më të veçanta të këtij sezoni është edhe Zip Line, duke u dhënë aventurierëve mundësinë të shijojnë një panoramë spektakolare të fshatit nga lart, mes ndjesisë së lirisë dhe adrenalinës që të pushton.
/vizionplus.tv





