“Protesta ka kaluar përtej normalitetit, nuk ka ndodhur në 30 vite”, Softa: Plumbat e gomës nga afër rrezikojnë jetën
Eksperti i sigurisë Fatjon Softa e cilëson të rëndë situatën e krijuar gjatë protestave në Tiranë, duke theksuar se kërkesa kryesore e protestuesve mbetet dorëheqja e kryeministrit. Sipas tij, zhvillimet e fundit kanë kaluar përtej një proteste të zakonshme dhe përbëjnë një sfidë për rendin dhe sigurinë publike. Softa, në një lidhje të drejtpërdrejtë në emisionin “7 pa 5” në Vizion Plus, paralajmëron se edhe sot mund të ketë përplasje të tjera mes protestuesve dhe Policisë së Shtetit.
“Vijon të jetë një situatë e rëndë. Kërkesa kryesore është dorëheqja e kryeministrit të vendit. Kemi disa forma taktike në mënyrën se si organizohet protesta, ashtu dhe lëvizjet e taktikat që Policia e Shtetit ka për të garantuar rendin publik. Nuk jemi më në një protestë, jemi në një situatë të një sfide për sigurinë e rendit publik dhe se si policia duhet ta rivendosë atë. Sot mendoj se do të ketë sërish përplasje, protesta ka kaluar përtej normalitetit”, tha Softa.
Eksperti e konsideron situatën e krijuar gjatë protestave të paprecedentë për nga përmasat dhe intensiteti në dekadat e fundit. Sipas tij, ndryshe nga protestat e mëparshme të opozitës, të cilat janë përqendruar kryesisht në Bulevard dhe pranë Kryeministrisë, këtë herë përplasjet janë shtrirë në rrugë të ndryshme të kryeqytetit. Eksperti evidenton përdorimin e gurëve dhe molotovëve nga protestuesit, por ngre shqetësime edhe për veprime të punonjësve të policisë që, sipas tij, mund të kenë tejkaluar kompetencat.
“Përveç punës së mirë të bërë nga policia për ta përballuar këtë situatë, e cila është e jashtëzakonshme, nuk ka ndodhur në 30 e ca vite nga momenti i fillimit të një demokracie në vend një protestë e këtij niveli, e kësaj përmase dhe e këtij intensiteti. Ka një intensitet dhe kjo është një lloj lodhje edhe për Policinë e Shtetit. Në rastet e opozitës, pavarësisht se kanë përdorur të njëjtat mjete, kanë qenë në Bulevard dhe te Kryeministria. Kurse këtu është si një luftë urbane, përleshje që ndodhin në të gjitha rrugët e kryeqytetit.
Ka dhunë dhe tejkalime nga të dyja palët, qoftë nga protestuesit me gurë, molotovë të cilët i kanë hedhur në drejtim të policisë, por edhe nga Policia e Shtetit kur individë apo persona kanë tejkaluar kompetencat. Ka pasur raste kur edhe punonjësit e policisë godasin me gurë. Guri nuk është mjet që përdor Policia e Shtetit”, tha Softa.
Eksperti i sigurisë u ndal edhe te përdorimi i plumbave të gomës dhe gazit lotsjellës gjatë përballjeve, duke paralajmëruar se rastet e përdorimit të tepruar duhet të shqyrtohen dhe të denoncohen. Softa thekson se përdorimi i këtyre mjeteve duhet të jetë proporcional me rrezikun dhe i orientuar ndaj personave që vijojnë të ushtrojnë dhunë, pavarësisht ndërhyrjeve të tjera të policisë. Ai paralajmëron gjithashtu se përdorimi i plumbave të gomës nga distanca e afërt mund të shkaktojë dëmtime të rënda dhe të rrezikojë jetën.
“Lidhur me përdorimin e plumbave të gomës apo formën e përdorimit të gazit të tepërt, janë raste për të cilat do të kemi denoncime. Përdorimi i plumbave të gomës ka qenë dhe vijon të jetë një çështje e debatueshme edhe në BE. Disa vende nuk e lejojnë. Në raste të tjera ka vend, sepse edhe këtu kemi të bëjmë me proporcionalitetin.
Duhet të dimë shkaqet dhe rrezikun. Për shembull, për qytetarët, përdorimi i armëve të tilla apo plumbave të tillë bëhet nga një distancë prej 20-40 metrash. Në rast se përdoren nga distanca të afërta, dëmi mund të jetë i pariparueshëm, jo vetëm për thyerjen e kockave, por krijon edhe rrezik për jetën. Përdorimi i tyre duhet të jetë i motivuar dhe i drejtuar ndaj personave të cilët nuk janë ndalur nga mjetet e tjera, teksa shkaktojnë dhunë”, përfundoi Softa.




