Subscribe

Talat Xhaferi, kryetar i parlamentit të Maqedonisë së Veriut mendon se BDI do të jetë faktor kyç në zgjedhjet e të dielës.

Në një intervistë ekskluzive për Vizion Plus, Xhaferi shtoi se koalicionet parazgjedhore varen nga numrat.

TALAT XHAFERI

KRYETAR I PARLAMENTIT, MAQEDONI E VERIUT

“Në esencë, të gjitha vlerësimet kanë qënë pozitive për punën e bërë në krye të legjislativit. Këtu marr parasysh raportin e komisionit europian si dhe anketat e bëra nga qytetarët, komentet janë që udhëheqja e parlamentit nën drejtimin tim është ndër më të mirat.Faktori politik shqiptar edhe në këto zgjedhje është i organizuar në disa grupacione dhe mendoj se edhe në strukturën e ardhshme parlamentare nuk do të ndryshojnë shumë mënyra se si do të funksionojë faktori shqiptar. Janë shtruar linjat se si bëhet politika këtu, edhe anëtarësimi në NATO dhe BE kanë marrë kahjen e tyre. Tashmë programi i BDI i rikthehet rimëkëmbjes ekonomike, statusi i të rinjve, drejtësia joselektive mbi reformat në drejtësi, përfshirë edhe vettingun e politikanëve. Koalicionet varen nga numrat që do të dalin nga zgjedhjet, nuk do mend që ne bëjmë përpjekjet që të kemi shumicën e duhur të mandateve pas zgjedhjeve. Nga përvoja paraprake, numrat tanë ishin vendimtarë për bllokun që do të merrte pushtetin në zgjedhjet e kaluara. Sipas standardeve dhe përcaktimeve kushtetuese atë kohë, nuk u arrit marrëveshja me VMRO-DPMNE dhe mandati i kalonte LSDM-së, në të dyja rastet, roli i BDI-së ka qënë vendimtar dhe rrjedhimisht iu besua kryesimi i parlamentit.

Xhaferi pohoi se BDI synon që në këtë mandate të negociojë për postin e kryeministrit në Maqedoninë e Veriut.

Në këtë mandat ne do të synojmë që të negociojmë për postin e kryeministrit shqiptar, për herë të parë. Nëse i referohemi opinionit publik, vlerësimeve, fushatës së bërë, ne jemi të bindur se do të jemi vendimtarë edeh në këto zgjedhje dhe mendoj se do të darkordohemi që të udhëheqim qeverinë.Gjatë historikut të ekzistencës së shtetit të Republikës së Maqedonisë së Veriut, është krijuar perceptimi se në vendin tonë, ndoshta edhe për shkak të numrit të popullsisë, shqiptarët nuk kanë kuadrot e nevojshëm për të udhëhequr në pushtet por nga kongresi i vitit2009 u lancua teoria e kundërt dhe kjo u vërtetua fillimisht pasi ministria e mbrojtjes u kryesua nga Fatmir Besimi pastaj mu pasua mua në vitin 2013-2014. Ministria e mbrojtjes e vlerësoi mjaft pozitivisht dhe pastaj pasoi menaxhimi me parlamentin, vlerësimet që janë bërë mendoj që edhe opinioni publik, faktori kombëtar dhe ai ndërkombëtar e kanë pranuar të kundërtën. Prandaj mendojmë që është koha e duhur që kësaj radhe  të synojmë ekzekutivin. Kritikat nga partitë e tjera shqiptare janë mëse të kuptueshme, janë pjesë e fushatës. Çështja e shpalosjes së idesë për kryeministrin e parë shqiptar, nxori të vërtetën e asaj që është shpirtërore dhe e brendshme mes shqiptarëve në Maqedoninë e Veriut. Megjithatë e ardhmja do të varet nga numrat dhe mendoj që shqiptarët do të bashkohen rreth këtij qëllimi. Sa për dyshimet e shfaqura mund të them se edhe marrja e ministrisë së mbrojtjes atë kohë konsiderohej iluzion, por u bë realitet. E njëjta situatë edhe për parlamentin por u bë realitet kështu që e kuptoj në suazat e fushatës parazgjedhore. Është e drejta e gjithkujt të thotë çfarë të dojë, ne do t’ia lemë kohës të flasë se çfarë mund të bëhet dhe bëhet.Nuk përjashtohet që koalicioni LSDM BESA të marrë një numër të caktuar të votave të shqiptarëve. Koalicioni me Bilall Kasamin supozoj se nuk do të mbështetet për faktin se në brendinë e tyre ende nuk kanë krijuar atmosferë që të votojnë shqiptarë si bartës liste. Nga shpërndarja e votave në 2016 rezultoi të kemi 8-9 mandate më pak nga ajo që zakonisht marrin shqiptarët por tani mbetet të shohim se si do të kombinohen rezultatet.Shqiptarët në Maqedoninë e Veriut kanë një histori të mbështetjes së shqiptarëve që nga themelimi. Në kontekstin e përmbajtjes programore ne kemi përcaktuar prioritetet sipas nevojave. Strategji kishim procesin eurointegrues, në NATO po ashtu dhe tani jemi fokusuar në fushën e ekonomisë. Pas përvojave paraprake mendoj që qytetarët e kane besimin e duhur edhe me programin aktual. Edhe anketat flasin se qytetarët e kanë besimin e duhur në personalitetet që kemi zgjedhur. Ka një frymë të re në parti, prurje të reja dhe fokusim tek reformat. Në të vjetrit jemi në mbështetje të gjeneratës së re.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *