Deputetja e Partisë Demokratike, Jorida Tabaku, gjatë seancës së sotme plenare ka ngritur shqetësimin për mungesën e transparencës në procesin e integrimit europian, duke theksuar se opozita është lënë jashtë një procesi që prek drejtpërdrejt qytetarët shqiptarë.
Nga foltorja e Kuvendit, Tabaku ka kërkuar që opozita të informohet për zhvillimet e negociatave në Bruksel, duke theksuar se procesi i integrimit nuk është thjesht teknik, por një çështje politike me interes publik.
Tabaku: Gjatë seancës së shkuar në Parlament patëm debat të gjatë për integrimin dhe që opozita është lënë jashtë procesit, e rëndësishme jo vetëm për opozitën por edhe shqiptarët. Besoja se qeveria do reflektonte dhe do sillte në parlament informacionin, në Serbi bëhet shpesh, procesi është transparent, por kjo këtu nuk ndodh. Shqiptarët nuk kanë informacion për detyrimet ndërmjetëse, ecurinë e procesit, periudhën kohore, absolutisht asnjë deputet i opozitës nuk është përfshirë në këtë proces.
Tabaku kërkoi nga kryetari i Kuvendit Niko Peleshi që të respektohen procedurat dhe të informohet opozita për çdo zhvillim në procesin e integrimit, duke theksuar nevojën për më shumë transparencë ndaj qytetarëve.
Tabaku: Kërkoj nga ju zoti kryeparlamentar që të ndiqni procedurën dhe të njoftoni opozitën për gjithçka, kemi kërkuar në vijim pozicionet negociuese, ky proces nuk është teknik ku bëhen prezantime power point-i, ky proces është politik qytetarët duan ta dinë çfarë po negociohet në Bruksel, a ka pengesa atje, cilat detyrime nuk janë kryer nga qeveria, detyrimet dhe si po ecën ky proces.





