Ministri i Brendshëm, Sandër Lleshaj reagoi për sulmet që i janë bërë gjatë ditëve të fundit policisë. Efektivët u dhunuan dhe dhunuan gjatë protestës për mbrojtjen e Teatrit Kombëtar.

Por Lleshaj tha në “Facebook” se ata veprojnë vetëm në bazë të ligjit, jo sipas urdhrave që jepen nga lart, siç mendojnë disa.

“Mjeranë udhëhumbur kujtojnë se ende Policia vepron me urdhra, sipas modeleve të mbrapshta që kanë në kokat e tyre të mallkuara nga totalitarizmi. Në fakt, policia sot nuk merr urdhra për veprimet e saj operacionale. Jo. Ministri i Brendshëm nuk jep urdhra për veprimet operacionale. “Urdhri” i saj i vetëm është ligji, përballë të cilit ajo duhet të jetë thjesht e verbër, për të mos bërë interpretime të tipit: ky është me rëndësi, ky është përtej ligjit, ky është mbi ligjin, ky është vetë ligji, ky është antiligji. Atë ditë që ne do t’i kërkojmë policisë që të bëjë vetë interpretime të ligjit, atë ditë vendi nuk ka më ligj.”

Për ata që bërtasin me të madhe se dhunohen të drejtat e njeriut kur polici prek me dorë një protestues, ministri tha se edhe efektivi njeri është kur dhunohet nga ata që marrin pjesë në tubim e se ka po të njëjtat të drejta.

“Ka pasur këto ditë disa “skifterë” të shkretë, që e kanë kërkuar tek policia shënjestrën e tyre, duke harruar se ajo nuk vendos, as për ndërtimin dhe as për shkatërrimin e ndërtesave. Ka pasur disa syresh që nuk e kanë kursyer as dorën frikacake për të goditur ndaj vajzave dhe djemve të policisë. Dhe pasi hedhin gurin, pasi mbarojnë me kapitullin e thirrjeve për revolucion e gjak, kalojnë paturpësisht tek ai i të drejtave të njeriut. Bërtasin si shpirtra të këqij për të drejtat e veta edhe përballë policëve, a thua se këta të fundit nuk janë njerëz, nuk janë qytetarë dhe nuk kanë të drejta.”

Lleshaj kujtoi edhe rolin e punonjësve të policisë në menaxhimin e tërmetit, pandemisë dhe protestave të politikës. Sipas tij, ata janë përherë në rrugë kur të gjithë struken në shtëpi.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *