Subscribe

Ministrja e Shëndetësisë, Ogerta Manastirliu ka prezantuar pasditen e kësaj të hëne strategjinë që do të ndjekë qeveria për periudhën vjeshtë-dimër për të parandaluar dhe pasur nën kontroll përhapjen e transmetimit të koronavirusit.

Gjatë një komunikimi për mediat, Manastirliu informoi se duke filluar nga muaji shtator, kapacitetet e testimit do të rriten me dy herë, duke shtuar se do të rriten ekipet e terrenit, infrastrukturën e nevojshme dhe kapacitetet laboratorike.

“Po bëjmë çdo përpjekje që kemi në dorë, për tju përgjigjur situatës së pritshme në vjeshtë-dimër. Struktura jonë kombëtare e testimit do të sigurojë që të përballohen kërkesat për testim dhe diagnostikim për qytetarët e dyshuar të prekur nga COVID19. Në kuadër të zgjerimit të mëtejshëm të mbulimit me teste, po punohet që nga Shtatori të realizohet dyfishimi i testimeve”, tha Manastirliu.

Po ashtu, ajo parashtroi se qeveria shqiptare ka vendosur të rrisë financimin për të kryer vaksinimin falas kundër gripit të të gjithë grupeve të rrezikuara me disa herë.

“Pjesë e strategjisë së vjeshtë-dimrit është edhe shumëfishimi i vaksinave falas kundër gripit, për të mbuluar të gjithë grupet e riskuara, të përcaktuara nga ekspertët e ISHP, që nga personeli shëndetësor, tek të moshuarit, edukatorët, arsimtarët, fëmijët 2-5 vjeç, etj, me vaksinën e gripit falas”, tha Manastirliu.

Duke folur për situatën aktuale, Manastirliu tha se Shqipëria vijon të ketë tregues më të qëndrueshëm krahasuar me vendet e tjera të rajonit.

“Nëse shohim edhe situatën e dy javëve të fundit, Shqipëria është ndër vendet me numrin më të ulët të rasteve pozitive dhe të fataliteteve në rajon, por këto janë bilance që nuk duhen bërë në mes të luftës. Ajo çka na ka mësuar kjo pandemi është se këto bilance kanë një konstante dhe ajo është përgjigjja e qytetarëve për zbatimin e masave”, tha Ministrja e Shëndetësisë.

Ndër të tjera, ajo kërkoi bashkëpunimin e qytetarëve për të frenuar sa më shumë të jetë e mundur, përhapjen e infeksionit.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *