Ministrja e Shtetit, Elisa Spiropali akuzon opozitës se po e përdor vrasjen e 25-vjeçarit nga polici për të frymëzuar dhe nxitur dhunë ndaj institucioneve, qytetit, dhe policisë së shtetit.

 

Në një postim në “Facebook”, Spiropali solli në vëmendje fjalët e babait të Klodian Rashës, për të të cilët tha se i kanë mbetur në mendje, pasi edhe në rrethanat e një dhimbjeje tepër të madhe, ai gjen fjalë të një kthjelltësie të thellë.

 

“Më mbetën në mendje fjalët e fisme të babait të Klodian Rashës.”Dhimbjen e kam të madhe. Dua drejtësi nga shteti im. Vendin tim, shtetin tim, e dua. I kam shërbyer si ushtarak. Dhe gjithmonë do i shërbej. Edhe policët janë djemtë tanë. Nuk dua të preket asgjë në emër të djalit tim”. Edhe pse në rrethanat e një dhimbjeje tepër të madhe, ishin fjalë të një kthjelltësie të thellë, të një ndjeshmërie tepër prekëse. Sa larg këtij njerëzillëku, kësaj ndjeshmërie dhe vërtetësie autentike shqiptare, është lukunia e hijenave politike, çakejve paramediatikë, që ngazëllehen nga gjaku për të frymëzuar dhe nxitur dhunë ndaj institucioneve, qytetit, dhe policisë së shtetit. Sa dritëshkurtër është beteja e dëshpëruar e vulëmburve që pasi s’kanë lënë dreqni pa bërë, duke parë se nga besueshmëria dhe simpatia popullore s’kanë më ç’të humbin, egërsohen edhe më tepër. E dinë ata dhe gjithë dynjaja se më 25 Prill e kanë të sigurtë humbjen. J’ua dëshmojnë sondazhet serioze. Drejtësia po ngrihet. Shqipëria po mëkëmbet. Veset e tyre parapolitike po tregohen me gisht.”

 

Për këtë ngjarje, shton Spiropali, polici i akuzuar është sot në burg dhe po hetohet, ndërsa ministri Sandër Lleshaj dha dorëheqjen, ndryshe nga autorët e 21 janarit dhe Gërdecit kur qeveriste PD-ja.

 

“E pashembullt në historinë e botës; Sali Berisha mburret jo vetëm se vrau në 21 Janar, por edhe se paska pasur ndërmend plumbin ballit liderit të opozitës. Madje, për këtë qëllim makabër, paska pasur gati edhe snajperat mbi Kryeministri si mbi kullën e malcisë. Lulzim Basha, aso kohe ministër i brendshëm, nuk guxoi t’ia dorëzonte prokurorisë gardistët që vranë, por i fshehu edhe ata në kullë te snajperat. Bashkë me vrasësit, fshehu provat e vrasjes. Ilir Meta, i quajti protestuesit kokëpalarë sepse dolën në shesh për bllokun e tij. Bllok që, me gjasa, nuk e ka grisur, e mban hapur për paligjshmëri, dhe gjoba të tjera. Këta urryes të papërmbajtur të shtetit, këta shkatërrues serialë, këta zjarrvënës, këta haxhi-qamilë modernë po duan të vijnë në pushtet me dhunë. Për të mirën e tyre dhe gjithë të tjerëve, për një mijë arsye, bëjnë mirë ta harrojnë se do mund të plotësojnë orekset e tyre ogurzeza. Përgjigjen do ta marrin me ligj dhe me votë. Çeta e keqbërësve në fjalë nuk do lejohet ta mbajë Shqipërinë larg Evropës, peng të familjeve të tyre. Shqipëria Evropiane do të bëhet. Me shqiptarët. Me Edi Ramën. Me Partinë Socialiste.  Më 25 Prill shkatërruesit e pangopur të 30 viteve do dalin nga skena përgjithmonë, dhe Shqipëria do marrë frymë lirisht.”

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *