Subscribe

Nga Ervin Sina

Gazetar/Vizion Plus

 

2020 me siguri do të mbahet mend gjatë në Shqiperi dhe jo vetëm, si viti i pandemisë, ai që goditi fort shoqërinë botërore në aspektin social, psikologjik por edhe ekonomik.

Kujt do tia kishte marrë mendja se në kohërat moderne, në kohë kur shkenca ka kapur finishe të pabesueshme, rendi botëror do të merrte këtë goditje si pasojë e një virusi si covid-19.

Një virusi të mbushur në fakt plot me pikepyetje, të pazbarthyera edhe sot e kësaj ditë.

Ku ishte origjina e tij, Kinë apo Europe, ishte një aksident apo e qëllimshme, ishte apo jo një plan për të gjunjëzuar ekonomitë e mëdha botërore?

Si ka mundësi që Kina, vendi më I goditur në fillimin e pandemisë, sot nuk e ka këtë shqetësim….?

Pikepyetje të cilat ndoshta një ditë do të marrin përgjigjen e duhur, ndonëse tani fokusi është gjetke, tek përballimi i situatës.

Situatë globale, prej së cilës nuk ka shpëtuar as Shqipëria.

Vendi ynë iu bashkua zyrtarisht vendeve me raste të Covid, më datë 8 mars 2020.

Që nga ajo datë e deri më tani ka raportuar afro 58 mijë raste pozitive me Covid, nga të cilët mbi 23 mijë janë ende aktive, mbi 33 janë shëruar ndërsa 1180 kanë humbur jetën.

Shqipëria vërtet nuk mund të konsiderohet ndër vendet me  raportet me të larta mes të infektuarve dhe viktimave për numër banorësh, por ama kjo është vetëm njëra anë e medaljes.

Pjesa tjetër janë pasojat e rënda socio-ekonomike dhe traumat e mëdha psikologjike që gjithe kjo situatë ka lënë në popullsi. Vecanërisht faza e parë e pandemisë, ajo që solli edhe izolimin e plotë në pranverë, dukë dërrmuar rëndë ekonomine kombëtare dhe atë individuale. Pasoja të cilat me siguri do të vazhdojmë ti ndjejmë për një kohë të gjatë. Pavarësisht reflektimit të detyruar dhe hapjes normale të dyerve për turizmin gjatë verës që i dha pak oksigjen ekonomisë, humbja e vendeve të punës apo edhe ulja e pagave, ishin efekte lehtësisht të prekshme tek bizneset e vogla dhe të mëdha. Kjo natyrisht për pjesën ekonomike, ndërsa pjesa socio-psikologjike, është një bilanc edhe më dramatik.

2020 është një vit homazhi për të gjithë ata që humben jetën kundër Covid-19, vecanërisht dhjetera mjek, infermiere dhe mësues, që ishin në vijën e parë të këtij rreziku. Mirëpo në përpjekjen për ti dhënë Covid-19 vemendjen e nevojshme, me apo pa dashje nuk bënë gjë tjetër thjesht mbollëm më shumë traumë sociale,  e ngarkuam veten me ankth, panik, informacion kaotik e të tepërt. Fëmijet nuk gëzuan dot ditët, javët e muajt në ambjentin e tyre shoqëror e shkollor, ndërsa të sëmurët kronikë u dorëzuan përpara pafuqisë për të ndryshuar një normalitet të ri, për fat të keq të detyruar, ashtu sic po tentohet të bëhet me vaksinimin, një proces që mesa duket do të kondicionojë të gjithë 2021, e mes tyre edhe vendin tonë.

Por ndonëse Covid-19 dhe pandemia kanë qënë kryefjalave e ditëve dhe muajve të 2020, sigurisht që përditshmëria, ndonëse e cunguar, nuk u ndal.

Disa zhvillime të rëndësishme kondicionuan vëcanërisht jetën politike në vend. Padiskutim marrja e kryesimit të misionit të OSBE nga Shqipëria mund të konsiderohet një nga ato ngjarje që shënjojnë jo pak historine e diplomacisë shqiptare, për të mos harruar pastaj zhvillimet e brendshme politike.

Në 14 janar mazhoranca, opozita joparlamentare dhe ajo parlamentare firmosën një marrëveshje për finalizimin në kohë të shpejtë të reformës zgjedhore, nëpërmjet ngritjes së një këshilli politik.

Mirëpo pavarësisht një klime të tillë konsensusi për një cështje që ka prodhuar gjithnjë shumë tension politik në vend, vendi kishte përpara një konflikt të fortë të mbartur, ajo mes mazhorancës dhe Presidentit Meta. Vendimi i mazhorancës për të bërë disa ndryshime ligjore mbi proceduren e betimit të Gjytarëve të Kushtetueses që shmangin betimin tek Presidenti, bëri që kreu i shtetit të merrte një vendim të paprecedente duke therritur një manifestim popullor në 2 mars me qëllim rrëzimin e qeverisë.

Izolimi i plotë I vendit për shkak të Covid-19 gjatë pranverës, zbuti aktivitetin politik dhe palët më shumë u përplasën mbi menaxhimin e pandemisë.

E vetmja ngjarje e rëndësishme mund të konsiderohet në këtë periudhë, hapja e negociatave më 25 mars për anëtarësimin e Shqiperisë në BE.

Ndërkohë situata e Covid bëri që të zvarritej disa edhe puna e këshillit politik mbi reformen zgjedhore, e cila do të finalizohej sidoqoftë me 5 qershor, si gjithnjë në traditën shqiptare pas ndërhyrjes së ndërkombëtareve.

Një konsensus gjithëpërfshirës që do të reflektohej edhe tek vendimi i komisionit parlamentar të ngritur nga mazhoranca për tu tërhequr nga shkarkimi i Presidentit Meta.

Mirëpo qetësia politike ishte e gënjeshtërt dhe zgjati shumë pak, duke qënë se në 30 korrik, Parlamenti me votat e mazhorancës dhe një pjesë të opozitës parlamentare kaloi disa ndryshime kushtetuese sidomos për hapjen e listave zgjedhore që Rama i konsideroi fitore për demokracine…

Ndërsa Meta dhe Basha, e quajtën akt të njëanshëm kundër Kushtetutes dhe marrëveshjeve politike të 14 janarit dhe 5 qershorit.

Pasoja e këtij votimi në parlament ishte padiskutim edhe ngritja e organeve të reja drejtuese që do menaxhojnë proceset e reja zgjedhor në vend, e po ashtu edhe krijimi i partive të reja politike, të cilat kanë të gjitha një emërues të përbashkët. Drejtuesit e tyre janë emra me të kaluar të rëndësishme në PD, konkretisht Jozefina Topalli, Myslim Murrizi dhe Rudina Hajdari.

Muaji dhjetor i këtij viti ishte padiskutim ndër më intensivët në aspektin politik dhe jo vetëm.Vrasja e një djali të ri, Klodian Rashës vetëm 25 vjeç nga një efektiv policie në mesnatë, teksa ai ishte i parrezikshëm dhe i paarmatosur, trazoi jo pak ambjentin socio-politik në vend. Protestat që nisën si zemërim i madh ndaj vrasjes së një të të pafajshmi krijuan kaos disa ditor në Tiranë me dhune , djegie e shkatërrim, të cilat sollën dorëheqjen e Ministrit të Brendshëm Sandër Lleshaj dhe zëvëndësimin e tij jo pak surprise me Blendi Çuçin.

Ndërkombëtarët, në të mirë e në të keq kanë shërbyer si katalizatore të shtyrjes përpara të proceseve të rëndësishme të konsolidimit dhe funksionimit të institucioneve në Shqiperi. Vec investimit madhor tek organet e reja të reformes në drejtësi, SPAK dhe BKH, SHBA në mënyrë të vecante falë angazhimit të fortë dhe presionit të ambasadores Yuri Kim,  bëri realitet plotësimin deri tani me 7 anetare dhe funksionalitetin e Gjykatës Kushtetuese, e bllokuar prej dy vitesh.

Një gjykatë e cila ka përpara në gjykim disa cështje shumë të rëndësishme që mund tgë ndikojnë jo pak zhvillimet politik të 2021 ku fokusi vecanërisht është tek zgjedhjet e 25 prillit, objektiv te i cili Edi Rama shkon me kauzën e rindertimit dhe shpërndarjen e celsave të shtëpive të reja të ribëra pas dëmeve të tërmetit si dhe menaxhimin e pandemisë dhe vecanërisht sigurimin  nisjes së vaksinimit në muajin janar. Ndërsa Basha dhe pjesa tjetër e opozitës shkojnë në ngjarjen më të rëndësishme  politike dhe jo vetëm të 2021 me synimin për të zëvëndësuar një qeveri që sipas tyre është super e konsumuar…

Viti politik 2020 u mbyll me dy lëvizje me te tjera në kabinet, dorëheqja e Ministrit per Europen dhe Punet e Jashtme në detyre Gent Cakaj dhe zevendesimin e tij nga Olta Xhacka, posti i së cilës tek Mbrojtja u mor nga Niko Peleshi.

Gjithsesi në fund të këtij viti të vështirë e aspak normal, të gjithë ne kryqezojmë gishtat dhe lutemi, për ditë më të bardha, për më shumë shpresë dhe besim se vështirësitë mund ti kthejmë në forcë për të ardhmen tonë…/ Vizion Plus

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *