Subscribe

Numërimi i fletës se fundit te votimit i la radhën Edi Rames të falenderonte socialistet dhe gjithë ata që i dhanë fitoren e thelle ne zgjedhjet e 25 qershorit.

 

Para mijëra anëtareve dhe simpatizantëve të mbledhur ne sheshin “Skënderbej”, kryeministri i ardhshëm nuk e fshehu entuziazmin e fitores, teksa tha se në këto zgjedhje, Shqipëria foli troç.

 

“Shqipëria ka folur troç, shqiptarët vendosën me një votë qartësisht kuqezi. Ata kanë zgjedhur të ardhmen dhe na kanë thënë se Shqipëria që duam është mbi të majtën dhe të djathtën. Shteti që duam është i qytetarëve dhe jo i pushtetarëve. Misioni i të zgjedhurve është puna për Shqipërinë, jo politika e kacafytjeve për partinë. Populli ka zgjedhur PS, për ta udhëhequr vendin në këtë mision si fuqi e vetme qeverisëse. Sfidat janë të të gjithëve në të njëjtin flamur për fëmijët e të njëjtës tokë dhe jo të majtë e të djathtë, jo të ndarë, por të njëjtë në gjak dhe në gjuhë. Duke u përulur para atyre që na zgjodhën, por edhe ata që nuk na votuan, u them të gjithëve; fitorja është e Shqipërisë dhe merita e njerëzve të zakonshëm.”

 

Rama tha se besimi që i dhanë shqiptarët është përtej kufirit të partive dhe se për herë të parë vendi do ketë një opozitë dyngjyrëshe.

 

“Opozita dy ngjyrëshe në 4 vitet e ardhshme. Nëse do të jemi pak më shumë shqiptarë dhe pak më pak politikanë, asgjë nuk do ta ndalte Shqipërinë të bëhej zonja e rëndë që ëndërronin rilindësit tanë. Të shikojmë brenda nesh, cfarë është në këto momente gjëja e duhur për shqiptarët. Detyrat tona janë të përkohshme. Zgjedhjet nuk ishin perfekte, por më të çliruarat nga pesha e traditës sonë, qytetarët u ndjenë më të patrazuar, apo influenca e partive në qeverisje. Shfaqja e papritur dhe disa çjerrjeve acaruese përbën një përjashtim që më mirë të mos kishte ndodhur, por nuk i cenon arritjet që solli ky proces. Padyshim që as marrëveshja me PD nuk ishte perfekte, por besoj se nuk do të fashitet. Qeveria dhe opozita të ndara, por duhet të jenë të bashkuara në rrugën për Europën që duam.”

 

Kreu socialist nuk harroi të falënderoje kryedemokratin Lulzim Basha, për marrëveshjen e 18 majit, që sipas tij, vendosi Shqipërinë të parën.

 

“E falënderoj Bashën, pasi në 18 maj vendosi Shqipërinë të parën, dhe sikur e shohim, marrëveshja është ajo që është dhe ajo që cinikët e kazanit donin që të ishte. Kjo është një mbrëmje e bukur gëzimi për shqiptarët, por edhe miqtë e partnerët që panë një proces zgjedhor demokratik. Vetëm 38 ditë më parë dukej mision i pamundur. Nesër është një ditë e re dhe për ne puna për Shqipërinë nis me një barrë më të rëndë se ajo që kishim.”

 

Rama tha se fitorja e 25 qershorit është një përgjegjësi e socialisteve katër vitet e ardhshme.

 

“E jona është barra e madhe e përgjegjësisë, e imja në radhë të parë, se në 4 vitet e ardhshme, shqiptarët zgjodhën për Shqipërinë që duam. Për të mos harruar se në vend të një koalicioni mes partive që ndajnë tepsinë, shqiptarët zgjodhën koalicionin e drejtpërdrejtë me ta, por për ta çuar atë tepsi për skrap përgjithmonë. Për ne nuk mund të ketë nder më të madh, nuk ka investim më të madh, ndaj mos e thënë Zoti që besimin ta marrim si kupë futbolli. Prioriteti ynë, reflektimi për sa kemi për të ndryshuar në punën tonë. Mos qoftë e thënë që konkurrentët tanë, ti shohim si armiq të mundur dhe t’i trajtojmë si të tillë, ne nuk kemi fituar një kampionat, por kemi marrë një përgjegjësi të madhe. Të gjithë bashkë na takon të bëjmë cdo gjë për të mos drejtuar gishtin te njëri tjetri për fajet. 4 vitet që vijnë nuk duhet të jenë një tjetër lojë politike se kush e ka fajin, por një përpjekje për ta bërë Shqipërinë më të mirë. Ne duhet ta bëjmë më të fortë demokracinë tonë. Duhet të veprojmë me shembullin tonë dhe populli do të shikojë kush është i gatshëm të bëjë të njëjtën gjë, jo vetëm me fjalë, por me vepra. Prandaj dua t’u them, udhëheqësve të partive të opozitës se shqiptarët na kanë duruar dhe zgjedhjen e tyre e kanë bërë, tani ta vendosim Shqipërinë para partisë.”

       

Kryeministri i ardhshëm falenderoi të gjithë ekipet e socialisteve e po ashtu dhe familjen e tij.

 

Rama u shpreh se puna ne ketë mandat të dytë do të behet edhe me më shumë pasion e përgjegjësi, për të transformuar plotësisht vendin.

 

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *