Subscribe

Me një popullsi në tkurrje dhe në plakje, skema e pensioneve në Shqipëri po vihet në rrezik.

 

Sipas INSTAT, vendi ynë vitin e fundit pësoi rënien më të fortë të popullsisë. Ndërsa të dhënat nga Tatimet thonë se stoku i borxhit për sigurimet e papaguara shoqërore arriti në 17.7 miliardë lekë në fund të vitit 2021, duke pësuar rritje me mbi 700 milionë lekë kundrejt një viti më parë. Edhe emigrimi i shqiptarëve që përbëjnë forcën punëtore dhe bëjnë pjesë në grupin që paguajnë sigurime shoqërore po rriskon pensionet, duke përkeqësuar raportin e kontribuuesve me atë të përfituesve.

 

NAIM HASA
ISH-DREJTOR I ISSH

“Skemat e pensioneve e vuajnë largimin e të rinjve sepse brezi i punësuar duhet të paguajë kontribut për brezin e pensionuar. Në ‘91 popullsia e Shqipërisë ishte 27 vjeç dhe për rrjedhojë 5 veta punonin dhe një përfitonte pension. Në këto kushte, buxheti i sigurimeve shoqërore kishte një nivel të pranueshëm të të ardhurave. Në kushtet që ka arritur Shqipëria ku rreth 1.2 veta kontribuojnë dhe 1 përfiton pension, gjithmonë e më shumë ajo që përfiton skema e sigurimeve shoqërore nuk i përgjigjet nivelit ekonomik dhe stadit të zhvillimit të shoqërisë.”

 

Në këto kushte, ekspertët propozojnë ndarjen e kontributit të përgjithshëm në dy shtylla, duke bërë të detyrueshme që një pjesë e tij të derdhet për pension privat.

 

NAIM HASA
ISH-DREJTOR I ISSH

“Kontributi 21.6% të ndahet në dy pjesë, 3% të shkojë në skemat private të detyrueshme për t’u administruar në një mënyrë private nën moshat 40 vjeç dhe ata mbi 40 vjeç e derdhi kontribute vetëm në sigurimet shoqërore.”

 

Kjo mënyrë do të rriste nivelin e pensionit për të moshuarit, por nga ana tjetër do të ulte të ardhurat për buxhetin e shtetit, ndaj qeveria po e sheh me vëmendje dhe me rezerva si propozim.

 

Aktualisht për pensione private në Shqipëri kontribuohet vetëm në mënyrë vullnetare dhe adresohen kryesisht ata që nuk plotësojnë kushte për pensionin shtetëror apo ata që duan të kenë pension më të mirë. Edhe pse ende në nivele të ulëta, numri i anëtarëve në fondet e pensioneve private në viti 2021 u rrit me 8.2%.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *